Komuna e Prishtinës heq dorë nga teatri i qytetit edhe për 2016-n




Komuna e Prishtinës ka hequr dorë nga ndërtimi i objektit të teatrit të qytetit edhe për vitin që vjen. Në propozimbuxhetin për vitin 2016, nuk është paraparë as edhe një cent për këtë projektit i cili ishte iniciuar qysh para katër vjetësh.

 

Në fillim të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte planifikuar 200 mijë euro për teatrin e qytetit, përderisa me rishikim e kishte përgjysmuar këtë shifër. Ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, në shtator të vitit 2011 kur është themeluar Festivali i Teatrove të Kukullave – u kishte premtuar fëmijëve objekt të ri për shfaqjet me kukulla, shkruan sot Koha Ditore.

Por në tetor të vitit 2013, ky institucion kishte deklaruar se nuk ka mjete të përmbushë një premtim të tillë dhe e kishte shtyrë për 2014-n. E kabineti i Shpend Ahmetit e kishte shtyrë për vitin 2015 këtë projekt, ani pse një vit më parë, në buxhetin e Komunës së Prishtinës për të ishin paraparë 200 mijë euro. Në fillim të vitit, Komuna e Prishtinës kishte deklaruar se është duke kërkuar të gjejë një lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e tij, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Tashti, Komuna e Prishtinës – që planifikon ta zbresë buxhetin për kulturë – konsideron se objekti i ri i teatrit të qytetit nuk është prioritet.

Në propozimbuxhetin për vitin e ardhshëm, për Drejtorinë e Kulturës janë paraparë 670 mijë euro. Prej tyre 100 mijë janë planifikuar për sallën koncertale që është projekt i përbashkët me Ministrinë e Kulturës. Të tjerat janë ndarë për furnizim me libra, renovim të objekteve të trashëgimisë kulturore, renovim të objekteve kulturore, organizime dhe manifestime kulturore dhe sportive, dekorim të qytetit për festa, art në hapësira publike dhe rekuizita për institucione kulturore. Vitin e kaluar, në fillim Komuna e Prishtinës kishte ndarë 1 milion e 50 mijë euro për Drejtorinë e Kulturës, por me rishikim të buxhetit në qershor kjo shifër ishte zbritur për 200 mijë euro. 100 mijë euro i ishin marrë pikërisht projektit për teatrin e qytetit e 100 mijë nga projektet për konservim dhe restaurim të objekteve kulturore.

Në përgjigjet për gazetën, Zyra për marrëdhënie me media e Komunës së Prishtinës ka shkruar se projektet kapitale të cilat kanë qenë të Drejtorisë së Kulturës, do të barten në Drejtorinë e Investimeve Kapitale.

Jeton Budima, kryetar i Bordit Drejtues të Teatrit të Qytetit «Dodona», ka thënë se objekti i këtij teatri është në gjendje të keqe.

«Përndryshe nuk ekziston vendim eksplicit i Bordit në lidhje me këtë çështje», ka thënë ai.

Agron Shala, drejtor i teatrit «Dodona» ka thënë se ideja për një objekt të ri për këtë teatër ka qenë e kamotshme, siç ka thënë ai, qysh nga koha e aktorit të ndjerë Faruk Begolli.