Komuna e Drenasit: Vetëm tek ne ndodh të dënohen ata që mbrojnë pronën publike

Komuna e Drenasit ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore atakon kryetarin e Komunës dhe Drejtorinë e Kadastrës ndërsa këtë vendim e ka cilësuar të papritur, duke marrë parasysh faktin se, siç thotë komuna, kemi të bëjmë me një kontest pronësor prej vitit 2000 mes Komunës dhe familjes Hasi, rreth pronës komunale në të cilën është ndërtuar shkolla fillore «Halil Bajraktari».




Përmes kësaj komunikate, Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët e kësaj komune dhe opinionin e gjerë se këtë rast do të dërgojnë në të gjitha instancat më të larta për mënyrën se si është trajtuar si rast ky kontest.

«Është e qartë dhe e njohur publikisht edhe më herët përmes medieve se tjetërsimi i kësaj prone komunale ka ndodhur me 6 mars të vitit 1998 (në periudhën e masave të dhunshme) dhe është bërë i plotfuqishëm me 08.05.1998, në kohën kur vendi ishte në gjendje lufte. I gjithë ky proces që ka filluar nga viti 2000 është përcjell me parregullsi dhe shkelje të procedurave gjyqësore. Ne si institucion jemi përgjegjës për ta mbrojtur interesin publik dhe pronën komunale dhe assesi për të lejuar tjetërsimin e paligjshëm të pronës publike për interesa të individëve të cilët kanë arritur të korruptojnë edhe një pjesë të sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe të kthejnë në shërbim të interesave të tyre», thuhet ndër të tjera në reagimin e Komunës së Drenasit, raporton Koha.net.

Komuna e Drenasit thekson faktin se ka shumë raste në të gjithë Kosovën, ku shumë prokurorë e gjyqtarë janë duke u hetuar për vendime të tilla të dyshimta.

Kjo komunë, sipas komunikatës, thotë se vazhdimisht ka kërkuar edhe gjatë këtij procesi gjyqësor të pritet kthimi i dokumentacionit kadastral i cili është marrë gjatë luftës.

«Pas marrëveshjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të kthehen dokumentet kadastrale në Kosovë, atëherë do të dihet se çfarë ka ndodhur me transaksionet e dyshimta pronësore», thuhet më tej në reagim.

Komuna e Drenasit, vendimin e sotëm e konsideron të pa bazë dhe të pa drejtë, «ku ndaj tij do të ankojmë për ligjshmërinë e këtij procesi».

«Në këtë rast do të ndiheshim keq në rast se do të ishim në mbrojtje të interesave individuale, por jemi në mbrojtje të interesit publik të Komunës së Drenasit dhe fatkeqësisht vetëm tek ne ndodh të dënohen ata që mbrojnë pronën publike dhe të shpërblehen matrapazët të cilët në rrethana të dyshimta tentojnë të përvetësojnë dhe përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme pronat komunale», përfundon reagimi i Komunës së Drenasit.