Kompania gjermane «Kappa» mëton punësimin e 1 mijë vetave në Drenas

Kryetari i Komunë së Drenasit, Nexhat Demaku ka pritur në takim drejtorin e fabrikës «Kappa Antipasti», kompani gjermane e cila ka shprehur interesimin që të ndërtojë një fabrikë për përpunimin dhe konservimin e perimeve e që vlera e investimeve do të arrij mbi 8 milionë euro me rreth 1 mijë vende pune.




Demaku, gjatë takimit me investitorët gjermanë, ka siguruar ata se do të krijojë lehtësira procedurale për fillimin e ndërtimit të fabrikës për përpunimin dhe konservimin e perimeve që do të ndërtohet përballë Parkut të Biznesit, përkatësisht në zonën ekonomike.

Ndërsa drejtori i kompanisë «Kappa Antipasti» tha se vlera e investimeve për ndërtimin e fabrikës është mbi 8 milion euro dhe në fazën e parë të punësohen 400 veta, ndërsa pas zgjerimit të kapaciteteve të fabrikës ishin premtimet që të punësohen 1 mijë veta.

Kompania gjermane siguroi që plasmanin e perim-kulturave të mbjella ta kenë jo vetëm fermerët e Komunës së Drenasit, por edhe të komunave tjera të Kosovës.

Komuna e Drenasit ka resurset me 5600 hektarë nën sistemin e ujitjes, dhe pozita e tokës është e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë intensive.