Kompania ajrore zvicerane «Edelweiss» bën shqiponjën: nga prilli 2019 fluturon nga Zürichu në Tiranë

Për mbi 200 mijë shqiptarë të Zvicrës ky është një lajm i mirë: kompania ajrore «Edelweiss» nga pranvera e ardhshme do të lidhë metropolin zviceran me kryeqytetin e Shqipërisë. Lidhja e re lehtëson edhe udhëtimin e turistëve zviceranë në Shqipëri.




Të udhëtosh me avion nga Zürichu në Tiranë është torturë: duhet të ndërrosh avionin ose në Vjenë ose në Lubjanë ose në Milano. Dikur, kur Zvicra e kishte kompaninë ajrore «Swissair», Zürichu dhe Tirana kanë qenë të lidhur me linjë të drejtpërdrejtë. Për shkak të keqmenaxhimit «Swissairit» i doli fryma, u themelua një kompani e re, «Swiss», e cila i takon kompanisë gjermane «Lufthansa». Pjesë e këtij grupi është edhe kompania ajrore «Edelweiss», e cila prej vitesh fluturon në Prishtinë. Nga prilli i vitit të ardhshëm «Edelweiss» do të fillojë fluturimet direkte nga Zürichu në Tiranë. Gazeta bulevardeske «Blick» shkroi se tani edhe «Edelweiss» ka vendosur të bëjë shqiponjën.

Për zviceranët dhe shqiptarët e Zvicrës ka plot arsye për të vizituar Shqipërinë. Tirana po shndërrohet në metropol atraktiv, qytetet shqiptare kanë një histori të pasur, nga Shkodra deri në Sarandë vendi ka një vijë bregdetare kryesisht mahnitëse, me përjashtim të barbarive arkitektonike në Durrës. Shqipëria ka po ashtu potencial të madh ekonomik. Një kompani zvicerane po ndërton afër Durrësit një port për jahte, një firmë zvicerane e këpucëve njoftoi së fundi se do të zhvendosë prodhimin në Shqipëri, zviceranë entuziastë ofrojnë udhëtime me biçikletë nëpër Shqipërinë mahnitëse. Për disa zviceranë Shqipëria është ose mund të jetë Zvicra e Ballkanit me det. «Edelweiss» do të fluturojë nga Zürichu në Tiranë dy herë në javë – të hënën dhe të premten. «Edelweiss» fluturon në 70 destinacione në 34 vende. Çdo vit kjo kompani transporton 1,8 milionë pasagjerë.