Kompania ajrore «Germania» nuk është në gjendje t’ua paguajë rrogat punëtorëve

Mediat gjermane njoftojnë se kompania ajrore «Germania», e cila fluturon nga disa qytete europiane në Prishtinë dhe Shkup, po ballafaqohet me një krizë të rëndë financiare. Falimentimi eventual mund të ketë pasoja për pasagjerët shqiptarë.

Avion i kompanisë «Germania».



Punëtorët e kompanisë ajrore «Germania» duhet të presin për të marrë rrogën e janarit. Kështu njofton «Spiegel Online». Drejtorët e kompanisë kanë njoftuar personelin se për shkak të problemeve financiare nuk është ende e qartë se kur do t’i marrin rrogat. Në një njoftim dërguar personelit nuk janë dhënë informata se kur do të bëhet pagesa e rrogave. Drejtorët Karsten Balke dhe Clauspeter Schwarz i kanë kërkuar falje personelit për shkak të vonesës së rrogave. «Po përpiqemi me të gjitha forcat që të garantojmë kryerjen e pagesës në kontot tuaja», shkruajnë ata.

Në fillim të janarit «Germania» përmes një komunikate bëri të ditur se po ballafaqohet me vështirësi financiare. Kompania atëbotë njoftoi se nuk ka kufizime sa i përket orarit të fluturimeve dhe se gjithçka ecte sipas planit. Se a do të vazhdojë kështu në të ardhmen është e paqartë, nëse brenda një kohe të shkurtër nuk arrihet të sigurohen rrogat për personelin. Në rast se kompania falimenton, kjo mund të ketë pasoja për pasagjerët shqiptarë, të cilët fluturojnë nga shumë qytete gjermane dhe nga Zürichu në Prishtinë dhe Shkup.

Gjatë këtij muaji kompania njoftoi se ka marrë premtime të bindshme nga disa donatorë për të tejkaluar krizën financiare. Mediat gjermane bënë të ditur se «Germania» pret një injeksion financiar prej 15 milionë euro. Nuk dihet se kush janë donatorët eventualë dhe përse paratë nuk janë transferuar ende.

Sipas informatave të «Spiegel Online» «Germania» është në konflikt me të birin e themeluesit të kompanisë për shkak të një kompensimi në vlerë prej 40 milionë euro. Si arsye për krizën financiare «Germania» ka përmendur shtrenjtimin e kerozinës dhe rënien e vlerës së euros dhe dollarit amerikan, vonesën e madhe në pajisjen me avionë dhe servisimin e paparashikuar të avionëve. Muajve të fundit një sërë kompanish të vogla ajrore kanë falimentuar, mes tyre edhe Primera Air, Azur Air, Small Planet, VLM dhe Skywork.

«Germania» disponon aktualisht me 38 avionë. Kjo kompani fluturon në disa destinacone turistike si Mallorca, por edhe në Turqi dhe në vende të Ballkanit, të cilat kanë diaspora të mëdha në Gjermani e Zvicër. Viteve të fundit «Germania» e ka zgjeruar dukshëm flotën e saj, por ekspertët kanë shprehur dyshime mbi financimin e këtij kursi.

Kompania nuk publikon të dhëna zyrtare mbi ecurinë e biznesit. Nga të dhënat që kompania duhet t’i bëjë publike për autoritetet gjermane, shihet se «Germania» mes viteve 2012 dhe 2016 vetëm gjatë një viti ka arritur të fitojë para. Gjatë periudhës kohore 2012-2016 «Germania» pësoi 51,7 milionë euro humbje. Në vitin 2015 qarkullimi ishte 425 milionë euro, por një vit më vonë ra në 369 milionë euro. (dialogplus.ch)

Më shumë në gjermanisht:

http://www.spiegel.de/wirtschaft/unternehmen/germania-fluggesellschaft-kann-mitarbeitern-derzeit-kein-gehalt-zahlen-a-1250994.html

https://www.bild.de/bild-plus/geld/wirtschaft/wirtschaft/germania-billig-airline-germania-vor-der-pleite-59872368,view=conversionToLogin.bild.html