Kompania ajrore «Germania» në vështirësi financiare

Kompania ajrore gjermane «Germania», e cila fluturon nga disa qytete europiane në Prishtinë dhe Shkup, po ballafaqohet me probleme financiare. Një raport paralajmëron shitjen eventuale të kësaj kompanie. Në rast se kompania falimenton, kjo mund të ketë pasoja për pasagjerët shqiptarë, të cilët fluturojnë nga shumë qytete gjermane dhe nga Zürichu në Prishtinë dhe Shkup.




«Germania» hyn në mesin e kompanive ajrore që konsiderohen si të lira dhe mesatarisht të mëdha. Si e tillë kjo kompani fluturon sidomos në ato destinacione, të cilat i shmangin kompanitë e mëdha ajrore. Së fundi «Germania» ka bërë të ditur se sivjet do të nisë fluturimet nga Zürichu në Tiranë. «Germania» tashmë fluturon nga disa qytete europiane në Prishtinë dhe Shkup.

Tregu i fluturimeve është mjaft brutal për shkak të konkurrencës së madhe. Të martën «Germania» përmes një komuniakte ka bërë të ditur se po ballafaqohet me vështirësi financiare. Aktualisht kjo kompani po shqyrton disa mundësi financimi për të siguruar likuiditetin. «Germania» njofton se nuk ka kufizime sa i përket orarit të flutrimeve, gjithçka vazhdon të ecën sipas planit. Megjithatë, vetë fakti se «Germania» ka pranuar se ka probleme financiare ka ngjallur interesimin e shumë mediave gjermane. Në rast se kompania falimenton, kjo mund të ketë pasoja për pasagjerët shqiptarë, të cilët fluturojnë nga shumë qytete gjermane dhe nga Zürichu në Prishtinë dhe Shkup.

«Germania» disponon aktualisht me 38 avionë. Kjo kompani fluturon në disa destinacone turistike si Mallorca, por edhe në Turqi dhe në vende të Ballkanit, të cilat kanë diaspora të mëdha në Gjermani e Zvicër. Viteve të fundit «Germania» e ka zgjeruar dukshëm flotën e saj, por ekspertët kanë shprehur dyshime mbi financimin e këtij kursi. Drejtori i kompanisë, Karsten Balke, kishte mohuar në fillim të vitit të kaluar se kompania ka probleme me financat. Balke theksoi se falimentimi i kompanisë «Air Berlin» paraqet një shans të madh për kompaninë «Germania». Por, tani duket se situata ka ndryshur: «Germania» përmend shtrenjtimin e kerozinës dhe rënien e vlerës së euros dhe dollarit amerikan, vonesën e madhe në pajisjen me avionë dhe servisimin e paparashikuar të avionëve. Muajve të fundit një sërë kompanish të vogla ajrore kanë falimentuar, mes tyre edhe Primera Air, Azur Air, Small Planet, VLM dhe Skywork.

Siç njofton portali i specializuar për sektorin e fluturimeve «Aero Telegraph», «Germania» u ballafaqua me probleme të mëdha financiare pak para vitit të ri. Deri më 27 dhjetor kompanisë iu deshën 20 milionë euro për të siguruar fluturimet. Sipas «Aero Telegraph» nuk përjashtohet mundësia e shitjes së një pjese apo tërë kompanisë «Germania». Por, deri më tani duket se nuk janë gjetur aksionarë të gatshëm për investim.

Kompania nuk publikon të dhëna zyrtare mbi ecurinë e biznesit. Nga të dhënat që kompania duhet t’i bëjë publike për autoritetet gjermane, shihet se «Germania» mes vtieve 2012 dhe 2016 vetëm gjatë një viti ka arritur të fitojë para. Gjatë periudhës kohore 2012-2016 «Germania» pësoi 51,7 milionë euro humbje. Në vitin 2015 qarkullimi ishte 425 milionë euro, por një vit më vonë ra në 369 milionë euro. (dialogplus.ch)

Më shumë informata në gjermanisht:

https://www.aerotelegraph.com/akuter-finanzbedarf-germania-steht-zum-verkauf

http://www.spiegel.de/wirtschaft/unternehmen/germania-fluggesellschaft-steckt-in-finanznot-und-erwaegt-offenbar-verkauf-a-1247095.html