Komiteti i Komuniteteve kritikohet për mospunë




Zyrtarë të lartë të Komunës së Prizrenit kanë ngre shqetësimin lidhur me funksionimin e dobët të Komitetit të Komuniteteve të Kuvendit Komunal.

 

Sipas tyre, bëhet fjalë për një komitet të përhershëm, i cili do të duhej të ishte aktiv në trajtimin e çështjeve të ndryshme, e sidomos në këtë periudhë me shqyrtimin e përmbajtjes së propozim- buxhetit komunal.

Nënkryetarja e Komuniteteve e Prizrenit, Sabina Biradini-Dana, ka theksuar se Komiteti i Komuniteteve do të duhej të funksiononte si ai i Politikës e Financave, por që në realitet nuk po ndodh kështu, shkruan sot «Koha Ditore».

«Prejse e kam marrë detyrën e nënkryetares së komuniteteve, Komiteti… është takuar vetëm dy herë. Nuk e di arsyen se pse nuk funksionon si duhet Komiteti…? Por së paku, në këtë periudhë kur po diskutohet propozimbuxheti komunal i Prizrenit është dashur që ky organ të mblidhej e të shqyrtonte përmbajtjen e tij», ka thënë Biradini-Dana.

Ndërkaq Artan Abrashi nga lëvizja «Vetëvendosje» ka shprehur bindjen se Komiteti…, ka humbur funksionalitetin për shkak se pjesëtarët e partive turke dhe boshnjake janë akomoduar në Qeverinë lokale dhe se nëpërmjet këtyre përfaqësuesve adresohen nevojat e këtyre komuniteteve.

«Kjo situatë shkon në dëm të komuniteteve, që nuk janë të përfaqësuara, pra RAE, që është më e diskriminuara në Prizren dhe kjo situatë është e pafalshme», ka deklaruar Abrashi.