Komisioni Qeveritar për verifikim ende pa përgjigje për dëshmorët e rënë para luftës së UÇK-së

Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit (KFDK) ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, apo të internuarit të UÇK-së, lidhur me kërkesën e tyre që statusi t’u njihet edhe rreth 130 dëshmorëve të kombit, të rënë në periudhën para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan sot Koha Ditore.




KFDK-ja ka hartuar një listë me 133 emra të refuzuar nga Komisioni Qeveritar, listë kjo që, sipas tyre, mund të jetë edhe më e madhe. Në listën, pos tjerësh, bëjnë pjesë dëshmorët Shaban Shala, Fazli Grajçevci, Afrim Zhitija, Rexhep Mala, Ylfete Humolli, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e Riza Matoshi.

Anëtari i KFDK-së, Behram Krasniqi, ka thënë se mospërfshirja e këtyre dëshmorëve në lista është vrasje për të dytën herë për ta. «Historia ka filluar më herët, ne nuk do të ndalemi deri në njohjen e tyre si dëshmorë, dihen publikisht arsyet e vrasjes së tyre», ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë se nga Komisioni Qeveritar për verifikim, edhe pas dorëzimit të ankesës nuk kanë marrë asnjë përgjigje.