Komisioni Europian kundër Racizmit: Në Serbi gjuha urrejtëse si në vitet ’90

Serbia duhet të pranojë gjenocidin në Srebrenicë, thekson Komisioni Europian kundër Racizmit, themelues i të cilit është Këshilli i Europës. Ky komision është shumë i shqetësuar mbi rritjen e gjuhës së urrejtjes në diskursin publik serb.

Nga një protestë në Beograd në mbrojtje të komunitetit LGBT. Foto: Shutterstock



Komisioni Europian kundër Racizmit ka kërkuar nga Republika e Serbisë të pranojë gjenocidin në Srebrenicë, të çrrënjosë racizmin mes fansave të futbollit dhe të luftojë dhunën kundër romëve dhe popullatës LGBT. Këto kërkesa janë bërë në raportin e fundit të Komisionit Europian kundër Racizmit (ECRI).

Ky komision ka përmendur disa të arritura në Serbi që nga viti 2010, kur është publikuar raporti i fundit për Serbinë. Thuhet se në vitin 2011 Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) u kishte kërkuar falje shikuesve për shkak të rolit si instrument propagande në vitet ’90, ndërsa shoqatat e gazetarëve kanë miratuar kodin e etikës, i cili ndalon gjuhën urrejtëse.
Por, pushteti në Serbia, sipas ECRI, duhet të luftojë ende gjuhën urrejtëse dhe dhunën dhe racizmin e fansave të futbollit si dhe ndjekjen e të dyshuarve për krime të luftës. Po ashtu kërkohet të përmirësohet pozita e romëve. Komisioni e vlerësoi si hap pozitiv edhe rekrutimin e një numri më të madh të policëve të nacionalitetit shqiptar.

Komisioni Europian kundër Racizmit thekson se kërkimfalja e Kuvendit dhe presidentit të Republikës për masakrën në Srebrenicë duhet vlerësuar, por njëkohësisht ECRI thekson se asnjëri nga këto dy institucione nuk e ka pranuar publikisht masakrën e Srebrenicës si gjenocid, siç klasifikohet në vendimet e të gjitha gjykatave.

«Komisioni Europian kundër Racizmit është shumë i shqetësuar mbi rritjen e gjuhës së urrejtjes në diskursin publik serb, i cili është përforcuar me raportimet e gjera mediale. Politikanët dhe mediat po përdorin gjuhë nxitëse, përbuzëse dhe nacionaliste, ndërsa në hapësirën e ish-Jugosllavisë dukshëm janë rritur tensionet rajonale. Diskursi aktual publik të kujton gjuhën urrejtëse, e cila është përdorur para luftërave të fundit në rajon. Gjuha urrejtëse po përhapet gjithnjë e më shumë përmes internetit; huliganët e futbollit dhe organizatat e tyre po ashtu kontribuojnë në përhapjen e urrejtjes».

Komisioni Europian kundër Racizmit nënvizon se ndjekja e fjatorëve për gjenocid dhe krime të tjera të luftës po ec ngadalë. Personat në pozita të larta nuk janë ndjekur fare dhe shumë kriminelë të luftës nuk janë dënuar. (-lli)