KOMF: 10.7 % e fëmijëve nga 5-17 vjeç të angazhuar në punë

Me rastin e ditës ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, e cila u shënua dje me 12 qershor, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF thekson edhe një herë rëndësinë e madhe të luftimit të këtij fenomeni dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ai ka në mirëqenien e fëmijëve, njofton kumtesa nga KOMF, transmeton Koha.net.

Në Republikën e Kosovës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7%, ndërkohë që 6.8% e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme.

Marrë parasysh këtë, shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, KOMF vlerëson punën e bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së fëmijëve.

Megjithatë, KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në nivel komunal në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda, ku kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda.

KOMF kërkon vëmendjen e kryetarëve të komunave për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel komunal, në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.