«Komandant Malisheva» dëshmon në rastin Kumanova

«Malisheva» ka thënë para gjykatës së Shkupit se krerët e grupit të armatosur që mori pjesë në luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë kanë qenë paraprakisht në kontakt me funksionarë të lartë dhe kryetarin e BDI-së. Ai tha se Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj kanë takuar edhe Shenasi Memedin, zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete maqedonase, por nuk i ka njohur se kush janë.

Muhamed Krasniqi, «Komandant Malisheva», në sallën e gjyqit.



Ky është një rast i montuar politik dhe akuzat për terrorizëm duhet t’i drejtohen Qeverisë, në të cilën bën pjesë edhe Ali Ahmeti. Me këto fjalë Muhamed Krasniqi i njohur si «Komandant Malisheva», e ka filluar dëshminë e tij në seancën gjyqësore të së enjtes për rastin e Kumanovës. Ai ka përmendur funksionarë të lartë të BDI-së, për të cilët thotë se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me krerët e grupit, Mirsad Ndrecajn dhe Beg Rizajn. «Malisheva» disa herë ka përsëritur para gjykatës se Ndrecaj dhe Rizaj, kanë pasur kontakte me Ali Ahmetin, kryetar i BDI-së, Sadulla Durkaun, nënkryetar dhe Ejup Alimin, tanimë deputet i kësaj partie. Por ai ka thënë se nuk është i sigurt për përmbajtjen e bisedave, përveç asaj të zhvilluar ditën e ngjarjeve, më 9 maj, kur thotë se e ka dëgjuar Mirsad Ndrecajn duke biseduar me Ali Ahmetin, të cilit i ka kërkuar që të ndikojë për të ndalur sulmin e policisë.

Siç tha «Malisheva», Ali Ahmeti kishte thënë se do të bëjë gjithçka mundet. Këtë deklaratë të tij ai e ka vlerësuar si dobësi dhe fakt që dëshmon se Ahmetit nuk i dëgjohet fjala në Qeveri. Shkak për ardhjen e grupit në Maqedoni, «Malisheva» pretendon se kanë qenë ankesat e vazhdueshme të funksionarëve shqiptarë nga pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor në Maqedoni për pozitën e vështirë të shqiptarëve në këtë shtet. Para se të vijnë në Maqedoni, sipas «Malishevës», zyrtarë, deputetë, policë, gjykatëse e prokurorë shqiptarë nga Maqedonia, vazhdimisht janë ankuar në Kosovë se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni po shkelen dhe shqiptarët po keqtrajtohen. «Ky ishte shkaku që ne iu përgjigjëm thirrjeve të vëllezërve tanë», ka thënë Muhamet Krasniqi.

Përveç funksionarëve të lartë të BDI-së, ai thotë se krerët e grupit të luftimeve më 9 e 10 maj në Kumanovë, kanë takuar edhe një zyrtar të lartë shqiptar të shërbimeve të fshehta të Maqedonisë. «Malisheva» ka denoncuar para trupit gjykues se ekziston një regjistrim audio-vizual i një takimi të Shenasi Memedit, i shoqëruar nga një maqedonas i shërbimit sekret, të cilët janë takuar me liderët e grupit të Kumanovës, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj. Krasniqi tha se ky rast është i montuar nga ish Qeveria e Maqedonisë, por nuk dha emra konkretë se cilët janë aktorët politikë, të cilët e kanë inskenuar rastin.

Pas rrëfimeve të tij për takimet e krerëve të grupit, shokët e tjerë të burgosur e pyetën «Malishevën» se përse nuk i ka paralajmëruar pjesëtarët e grupit, se Beg Rizaj dhe Mirsad  Ndrecaj janë takuar me një spiun. Përgjigja e tij ishte se atëherë as që e ka njohur Shenasi Memedin dhe as që e ka parë ndonjëherë. Por, në bazë të bisedave që ia ka treguar Mirsad Ndrecaj, ai tani është i sigurt se pjesë e këtij rasti kanë qenë shërbimet e Maqedonisë ose më saktësisht Qeveria e Maqedonisë, e cila i ka thirrur pjesëtarët e grupit që të vijnë në Maqedoni.

«Malisheva» më tej sqaroi se në këto takime është biseduar për çështje sigurie, Marrëveshjen e Ohrit dhe për shtypjen e shqiptarëve në Maqedoni. Sipas pohimeve të «Malishevës», Mirsad Ndrecaj i ka thënë se do ta kuptosh më vonë kush janë organizatorët e këtij rasti nga Maqedonia, të cilët mua më kanë caktuar si udhëheqës. Deri më tani në gjykatë janë dëgjuar vetëm dy nga gjithsej 37 të burgosur për rastin e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Seanca e radhës është caktuar për ditën e hënë, ndërsa seancat pritet të jenë më të shpeshta për shkak të numrit të madh të personave që duhet të dëshmojnë.