Koka e futur në rërë të përgjakur

Trimat e egërsuar të gjeneralit serb Lubisha Dikoviq dhunuan më 1999 një grup vajzash në Qirez të Drenicës, përfshirë edhe gratë shtatzëna në fazat e vonshme të shtatzënisë, dhe pastaj tetë gra dhe vajza të gjalla i kanë hedhur në pusin e ujit që të përfundojnë në të. Përkundër dëshmive të prezantuara së fundi edhe në një film dokumentar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Dikoviq nga politikanët serbë trajtohet si hero.

Një karrierë e ndërtuar mbi krime në Kosovë: gjenerali Lubisha Dikoviq gjatë një ceremonie ushtarake në Serbi.



Nga produksioni i Fondit për të Drejtën Humanitare është xhiruar filmi dokumentar «Gjeneral Dikoviqi dhe Brigada 37 në Kosovë» mbi bazën e dy dosjeve, të cilat ky fond i publikoi më parë. Dosja e parë, e publikuar në vitin 2012, me titull «Lubisha Dikoviqi», përmban dëshmi për rolin e brigadës, të cilën në vitin 1999 Dikoviqi e komandonte në vjedhjet, keqtrajtimet, dëbimet dhe vrasjet e civilëve shqiptarë në rajonin e Drenicës, në komunat Skenderaj dhe Drenas. Dosja e dytë u publikua në vitin 2015, me titull «Rudnica», sipas lokalitetit në Rashkë, ku u zbulua një varrezë masive me trupat e shqiptarëve të vrarë në zonën e përgjegjësisë së brigadës të Dikoviqit.

Pasi disa televizione në Serbi refuzuan ta shfaqin filmin, Fondi për të Drejtën Humanitare e postoi atë në kanalin e vet në YouTube. Faktet janë të njohura, kanë qenë në dosjet e përmendura, por meqë organet shtetërore dhe publiku serb për vite të tëra bëhen sikur ato nuk ekzistojnë, filmi tani vjen si një version i ngjeshur, i cili mund të arrijë te një audiencë e gjerë.

Përdhunimet, masakrat dhe dëbimet

Në film shfaqen detajet e dy dosjeve. Në dosjen «Lubisha Dikoviqi» mund të gjenden edhe dëshmi mbi krimet në Qirez, në komunën e Skenderajt, ku në gjysmën e dytë të prillit trimat e egërsuar të Dikoviqit dhunuan një grup vajzash, përfshirë edhe gratë shtatzëna në fazat e vonshme të shtatzënisë, dhe pastaj tetë gra dhe vajza të gjalla i kanë hedhur në pusin e ujit që të përfundojnë në të.

Në film mund të shihet pjesa e dëshmisë së Xhevahire Rahmanit para Tribunalit të Hagës, bija e Tahire Shalakut, e vrarë në Qirez, e cila ishte njëra nga të burgosurat. Pas dëshmisë së saj tregohet dokumenti ushtarak, raporti i Brigadës 37 të motorizuar me shenjën «sekret i rreptë», i datës 21 prill 1999, në të cilin thuhet se brigada atëbotë ka kryer operacione në Qirez.

Më pastaj vijon pjesa e dosjes për paraburgimin e më shumë se 170 shqiptarëve, nga të cilët 43 u ekzekutuan. Krimi ka ndodhur në Shavarinë të komunës së Drenasit, më 1 maj 1999. Është dhënë edhe dëshmia para Tribunalit e njërit prej të ndaluarve, Abdullah Salihu, e me këtë ndërlidhet edhe raporti i Brigadës 37, i cili konfirmon se kjo njësi në atë kohë ka kapur 172 persona nëpër fshatrat përreth Drenasit dhe Skenderajt, në kuadër të aksionit «Kamenica». Në të njëjtin raport me nënshkrimin e Dikoviqit thuhet se në aksionin «Kamenica» janë sulmuar edhe fshatrat Dashevc dhe Vërbovc. Në Dashevc, më 30 prill 1999, janë pushkatuar tetë civilë shqiptarë, e të njëjtën ditë në Vërbovc janë vrarë edhe 92 shqiptarë të Kosovës.

Më pastaj renditen masakrat në Izbicë, në Rezallë, dëbimi i grave dhe fëmijëve në Maqedoni dhe në Shqipëri, dëshmitë e tmerrshme të të mbijetuarve, të gjitha të shoqëruara me pamje dhe dokumente që tregojnë qartë se pikërisht Brigada e Dikoviqit ishte ajo që nëpër ato vendbanime në kohën e krimeve kreu edhe të ashtuquajturat operacione ushtarake, apo siç quhen zyrtarisht në terminologjinë ushtarake – vrasje të civilëve. Një pjesë e viktimave të Rezallës u zbulua në një varrezë masive në Rudnicë në fund të vitit 2013 dhe në gjysmën e parë të vitit 2014 bashkë me trupat e civilëve të vrarë në Çikatovë të Vjetër, në Gllanasellë dhe në Zabelin e Poshtëm (fshatra rreth Drenasit).

Të bashkuar në mohim

Kur u shfaq dosja e parë, në pushtet ishte Partia Demokratike (DS), ndërsa e dyta u publikua në kohën e Partisë Progresive Serbe (SNS), por në këtë rast u tregua se dallimet në dukje të pakapërcyeshme ndërmjet palëve të armiqësuara tejkalohen lehtë kur bëhet fjalë për krimet e luftës. Demokratët dhe progresistët thjesht bëjnë gara në mohimin e krimeve dhe në mbrojtjen e ushtrisë nga sulmet e pamëshirshme me prova dhe fakte. Prezantimi i fakteve ndërpritet nga deklaratat e politikanëve, çnjerëzorja e të cilëve në këtë kontekst bëhet dhimbshëm e dukshme.

«Dje u shfaq në opinion, lirisht mund të them, një dosje e rreme për gjeneralin Dikoviq, e cila vërtet është e pashembullt, e që në disa segmente në mënyrë mjaft monstruoze e akuzon gjeneralin Dikoviq për disa krime të caktuara. (…) Shtrohet pyetja se pse ndodh kjo në kohën kur Ushtria e Serbisë po e fiton mbështetjen më të madhe të qytetarëve gjatë viteve të fundit, në kohën kur edhe në planin ndërkombëtar vërtet po fitojmë simpati». Kështu e pati komentuar dosjen për Dikoviqin në vitin 2012 ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac.

Disa vite më vonë, me rastin e dosjes «Rudnica», në deklaratën e Shutanovacit ndërlidhet rivali i tij i përbetuar politik, Aleksandar Vuçiqi: «E shoh një vazhdimësi të fushatës kundër institucionit që e ka mbështetjen më të madhe në opinionin serb, dhe është e qartë se dikush është duke u përpjekur – pa hyrë në detaje, sepse nuk e di se për çfarë janë marrë vesh njerëzit e Fondit për të Drejtën Humanitare – por është e qartë se një pjesë e opinionit politik dhe e politikanëve është duke u përpjekur për ta shkatërruar çdo gjë të mirë në Serbi».

Sipas logjikës së Partisë Demokratike dhe Partisë Përparimtare Serbe, as Partia Popullore Nacional-Socialiste e Hitlerit nuk ka mundur të bëjë asgjë të keqe, sepse gëzonte besim të madh në popull. Të gjitha rrëfimet e pasluftës rreth Holokaustit ishin akuza monstruoze në përpjekje për të shkatërruar gjithçka që ishte e mirë në Gjermani. E nuk përjashtohet as mundësia që thirrjet për ta sulmuar të kaluarën naziste kanë pasur për qëllim që të shkaktojnë jostabilitet në Gjermani.

Ja çfarë mendon në lidhje me këtë Vuçiq: «Mesazhi im për të gjithë ata është se Serbinë nuk do të munden dhe nuk do t’ia arrijnë ta thyejnë. Personalisht jam i bindur se z. Dikoviq nuk është kurrfarë krimineli i luftës. (…) Sulmet kundër Ushtrisë serbe, do të thosha, filluan pas kontributit të saj më të madh për mbrojtjen e Serbisë nga përmbytjet. Natyrisht, kjo ka të bëjë me provokimin e jostabilitetit në Serbi».

Jostabilitetin në Serbi e provokojnë pikërisht politikanët, të cilët i injorojnë provat, i mohojnë krimet, i vënë kozmetikë së kaluarës dhe e parandalojnë vendin – të cilin, kinse aq shumë e duan – që të dalë nga gjendja e padurueshme e mohimit, në të cilën është mbërthyer, dhe të kthehet në pjesën e civilizuar të botës. Në vend se ta ndërrojnë shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ata e shpërblejnë atë. Dragan Shutanovac i ka dhënë medalje Dikoviqit më 2011, kurse Tomislav Nikoliqi më 2015. Duket se të dy e kanë bindjen se medalja e ka efektin magjik që një i dekoruar mund të mbrohet kundër forcave të papastra që veprojnë nën maskën e së vërtetës së zhveshur.

Krimi si sekret shtetëror

Megjithatë, në film ka edhe çështje të ndritshme. Të themi, për shembull deklarata e Vuçiqit: «Institucionet duhet ta bëjnë punën dhe u mbetet atyre që të tregojnë nëse kjo është e vërtetë apo jo». Dhe institucionet vërtet filluan ta bëjnë punën e tyre, e në këtë veçanërisht u dallua Ministria e Mbrojtjes, nën udhëheqjen e ministrit të atëhershëm, Bratislav Gashiq. Sapo Fondi për të Drejtën Humanitare e kërkoi nga Ministria e Mbrojtjes dokumentin e Brigadës 37 të vitit 1999, Gashiq gjithë arkivin e brigadës e deklaroi sekret shtetëror në kohëzgjatje 30-vjeçare. E në qoftë se në Serbi me ndonjë mrekulli gjenden institucione të gatshme për ta trajtuar hetimin e vrasjeve masive të civilëve, le të kenë pak durim, dekadat kalojnë me shpejtësi. Kush thotë se e vërteta, drejtësia dhe familjet e viktimave nuk mund të presin?

Hetimi kundër Dikoviqit nuk filloi as tre vjet pas zbulimit të varrezës masive në Rudnicë, e si do ta bënte këtë kur e gjithë Serbia është sekret i madh, sidomos e kaluara e saj e fundit kriminale. Sikur që në film tha Jean-Daniel Ruch, ish-ambasadori zviceran në Serbi: «Duket se mbetjet njerëzore të cilat u zbuluan në Rudnicë arritën atje pa asnjë ndërhyrje, nuk u vranë nga askush, askush nuk i varrosi ata trupa, askush nuk i transportoi dhe askush nuk dha urdhër për këtë».

Në kohën e qëndrimit të Brigadës së Dikoviqit në Kosovë janë vrarë afro 1400 civilë shqiptarë në zonën në të cilën kjo brigadë ka kryer operacione. Dikoviqi nuk është akuzuar për asgjë, dhe edhe më tutje e ushtron i qetë detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, prandaj për këtë e ka paditur Fondin për të Drejtën Humanitare dhe themeluesen e tij, Natasha Kandiq, për shkaktim të vuajtjeve shpirtërore, si dhe për lëndim të autoritetit dhe ndershmërisë, dhe e ka fituar kontestin.

Filmi «Gjenerali Dikoviq dhe Brigada 37 në Kosovë» është logjik dhe duhet të lavdërohet për vazhdimin e përpjekjeve të Fondit për të Drejtën Humanitare që të hedhë dritë mbi të kaluarën vrastare të Serbisë dhe për të sjellë drejtësi për viktimat. Rëndësia morale e këtyre përpjekjeve nuk mund të mbivlerësohet, pasi ato zhvillohen në vendin ku politikanët, elitat intelektuale, organet gjyqësore, mediet, institucionet e ndryshme dhe shumica e qytetarëve edhe më tutje solidarizohen me vrasësit, duke ua futur kokën në rërë të përgjakshme.

(Botuar nga Al Jazeera Balkans)

Tomislav Markoviq është gazetar dhe shkrimtar nga Beogradi.