Kohë e dënimeve

Portret i RAfael Albertit.



Kohë të vështira, të pikëllueshme
dënimesh me vdekje,
hijesh të zgjatura në ulurima dhe vaj.
S’mund të flesh dhe po qe se fle
gjumi është zandanë me porta të kyçura.
Kohë ku vuan dashuria e frikësuar,
e thyer nga thërritjet e shpejta gjatë betejës
ku mundën me fuqi ta nxjerrin nga shtrati
për ta pushkatuar gjatë një agimi të plumbtë.
Kohë të mallkuara prej lutjesh të përditshme
net të mbushura me vuajtje në pritje të ditës
atë çast tinëzar kur një dorë e ftohtë
zhduk pa luhatje jetët e njerëzve.
Kohë të dëshpëruara,
fatkeqe, të errëta,
ku është krim të shikohen lulet
të lavdohen lartësitë e detit dhe harmonia
e fluturimit të zogjve që ikin në vjeshtë
Por, megjithë ato vite të gjata të errëta,
kohërash dhe të shpirtit që me dhembjen e madhërishme
shpreson se drita do të kalojë nëpër gjak
dhe do të vendoset me paqe krejt mbi çdo gjë.

Përktheu: Adem GAJTANI