Koha për të braktisur vendin që nuk i takon

Aida Dërguti duhet të largohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës për të shmangur dëmtimin e mëtutjshëm të demokracisë dhe stërkeqjen e pafundme të politikës.

Aida Dërguti.



Aida Dërguti nuk ka asnjë të drejtë morale, ligjore, etike, politike dhe parlamentare të mbajë postin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës. Aty ajo është zgjedhur si përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje. Sigurisht, ajo është zgjedhur për shkak të kontributit, meritave dhe angazhimit shumëvjeçar për Vetëvendosjen. Për këtë ajo ka marrë përkrahje masive nga anëtarësia e VV-së.

Ndërkohë Aida Dërguti ka kaluar në një subjekt tjetër politik. Kjo është e drejtë e saj e patjetërsueshme, e paprekshme, legjitime. Secili njeri zgjedh rrugën e vet politike me bindjen se po bën mirë. Me gjasë kështu ka menduar edhe Dërguti, andaj në këtë pikë ajo është në rregull. Verdiktin pastaj e japin votuesit, kurdo që Kosova shkon në zgjedhje.

Përveç Aida Dërgutit në subjektin tjetër politik kanë kaluar edhe disa (11) deputetë të VV-së. Kjo është e drejtë e tyre, por sa janë kredibilë ndaj opinionit dhe elektoratit këta deputetë duke mbajtur mandate të cilat i kanë fituar me një logo tjetër politike dhe me program tjetër politik? Edhe për këtë mendimin do ta thonë qytetarët, siç do ta thonë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje! Vetëm, pa fuqinë e VV-së, mbase asnjëri prej deputetëve të larguar nuk do të mund të hynte as në oborrin e parlamentit, për më tutje mos të flasim. Me subjektin e ri ndoshta të gjithë këta deputetë do të zgjidhen në Kuvend, por ky është vetëm spekulim për aq kohë sa nuk janë mbajtur zgjedhjet.

VV është përçarë keq, kjo s’mund të mohohet, nga partia e parë individuale në Kuvend ajo ka përfunduar e treta, por prapë gjendet para subjektit në të cilin ka aderuar Aida Dërguti me shokë e shoqe, rrjedhimisht posti i nënkryetarit të Kuvendit i takon VV-së, jo grupit të deputetëve të Partisë Socialdemokrate, deri dje parti minore jashtëparlamentare, të cilën po përpiqen ta ringjallin të larguarit nga VV – dhe kushedi ndoshta edhe ia dalin.

Aida Dërgutit i është bërë qëmoti e qartë nga radhët e VV-së se me orientimin e saj të ri politik nuk i takon posti i nënkryetares së Kuvendit. Ajo është treguar e shurdhër ndaj këtyre vërejtjeve dhe ka bërë keq. Insistimi i VV-së që të ketë postin e nënkryetarit të Kuvendit është i drejtë. Dërguti është zgjedhur si kandidate e VV-së dhe si nënkryetare e Kuvendit do të duhej t’i raportonte Grupit Parlamentar të VV-së, të konsultohej me deputetë të VV-së dhe të koordinohej me ta. Kjo nuk ka ndodhur për shkak se Dërguti e ka kërkuar nafakën politike tjetërkund dhe kjo – prapë po theksojmë – është e drejtë e saj.

Llafet e muhabetet nëpër Facebook të deputetit Frashër Krasniqi se VV «po lufton për pozita» janë absurde sa s’ka më. Në fakt, VV po kërkon diçka që si parti e tretë i takon. Madje do të mund të thuhej se Frashër Krasniqi me shokë e shoqe kanë hyrë në Kuvend me logo të VV-së dhe ndërkohë kanë ndërruar gëzofin politik, por s’i kanë kthyer mandatet. Ka qenë makineria votuese e VV-së, të cilën e kanë vënë në lëvizje të gjithë së bashku, edhe Frashër Krasniqi, për të hyrë në parlament, andaj do të ishte e ndershme që tash, pas përçarjes së VV-së, së paku të mos devijonte gjuha e fakteve. Nëse pësëdësitët kanë argumente të bindshme kundër VV-së, është mirë t’i prezantojnë para opinionit. Për të mbajtur pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk kanë asnjë argument. Vetëm nëse «argumentet» ua jep kryetari i Kuvendit. Aida Dërguti duhet të largohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës për të shmangur dëmtimin e mëtutjshëm të demokracisë dhe stërkeqjen e pafundme të politikës.