Koha për protesta!

Pse duhet një revoltë popullore kundër këtij sistemi politik?

Foto: Shutterstock



20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe më shumë se një dekadë nga pavarësimi i Kosovës janë një moment për të reflektuar: çka ka arritur Kosova deri më tani? Nuk mjafton kjo çfarë ka arritur Kosova. Sepse mbetet ende vendi më i izoluar në Europë. Me papunësi të madhe. Me sistem arsimor të dobët. Me ekonomi mesjetare.

Është momenti ideal dhe ndoshta ndër të fundit për një revoltë gjithëpopullore kundër këtyre që konsiderohen më të fuqishëm se vetë shteti. Kjo revoltë do të ishte e dobishme në shumë aspekte: edukative për të gjithë qytetarët (participimi qytetar në vend të apatisë totale); do të rilindte shpresa për një shtet normal dhe do të ndalej emigrimi masiv i të rinjve jashtë vendit; shteti i qytetarëve do të dëshmohej se është më i fuqishëm se cilado bandë veç e veç apo se tërësia e të gjitha bandave brenda tij; do të ndikonte (sadopak) pozitivisht në Shqipëri dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë.

Protesta paqësore me kërkesa të qarta: stop nepotizmit në institucionet publike (anulim i punësimeve partiake, hetim dhe dënim i përgjegjësve për punësime të tilla); kërkesat për arsim të mirëfilltë, shëndetësi më të mirë, drejtësi sociale, shanse të barabarta, stop degradimit të mëtejshëm urbanistik në krejt Kosovën, ajër të pastër. Janë një milion arsye për të protestuar. Dhe asnjë për të qëndruar indiferent.