Koha për një kapitull të ri në LDK

Përse pas 30 vjet ekzistimi LDK-së të mos i prijë një 30-vjeçar a 30-vjeçare? Garda e vjetër e LDK-së i dha Kosovës sa diti e sa mundi. Nganjëherë madje nuk diti gjë dhe e futi partinë në qorrsokak.



Gjatë ditëve të verës mund të ndodhë që të të ikë lajmi i ditës. Sot lajmi i ditës qenka ky: Fatmir Sejdiu sërish qenka treguar i gatshëm të drejtojë LDK-në. Për të satën herë e tha këtë? Askush nuk e di. Sejdiu paskësh thënë se në LDK ka njerëz që punojnë për parti të tjera. Nuk duhet shumë fantazi për të kuptuar se kujt ia drejton shigjetën Sejdiu: natyrisht kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili pa pikë nevoje e ka etiketuar veten si kandidat të PDK-së për kryetar të LDK-së. Dhe si i tillë po i hyn garës. Ky është hendikep i madh.

Me këtë njollë Haziri e ka stërpikur veten, sepse mendon se në LDK do ta bëjë më të popullarizuar Hashim Thaçi duke ia ndarë një letër-mirënjohje «nga Donald Trumpi». Mirënjohja i është ndarë përmes një personi të dyshimtë nga Amerika, i cili muajve të fundit këso letra falënderuese «nga Donald Trumpi» u ka shpërndarë plot e përplot njerëzve kudo, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Me gjasë pa këtë letër falënderimi «nga Donald Trumpi» kanë mbetur vetëm xharrahët e Kumanovës, por, hajt, edhe atyre u vjen radha. Vlera e kësaj letre falënderuese «nga Donald Trumpi» është po aq e madhe sa bileta që ta lëshon në dorë konduktori në linjën Prishtinë-Llukar.

Fatmir Sejdiu e ka hetuar se mund të ketë ndonjë marsh të ri për të marrë kreun e LDK-së dhe e ka parë të nevojshme sërish të tregojë faqe botës se është këndej dhe i gatshëm për ta shpëtuar LDK-në. Problemi është se gati askush nuk e pret atë si shpëtimtar.

Mosha mesatare e miletit në Kosovë është nën 27 vjet. Por në LDK ka ende njerëz si Sejdiu që mendojnë se gjithçka duhet të jetë si në ditën e themelimit të partisë, më 23 dhjetor 1989, kur s’kishte telefona të mençur, por një faks që t’i hante nervat derisa e dërgonte një letër, të cilën në anën tjetër të linjës s’mund ta lexonte askush për shkak të cilësisë së dobët.

Është e pakuptueshme, e pashpjegueshme, absurde që një njeri që ka qenë kryetar i Kosovës në momentin më historik të saj – shpalljen e pavarësisë -, një politikan që ka ushtruar mbi dy dekada poste të rëndësishme publike, një profesor i juridikut, një kryetar nderi i LDK-së, një politikan të cilit shteti ia ka siguruar të gjitha privilegjet – rrogë shumë të mirë, zyrë e shërbëtorë, ende dhe çdo ditë, orë e çast, të brohoras: unë jam i gatshëm, unë dua të bëhem kryetar i LDK-së, unë, unë, unë! Politikanët që e shohin veten si të pazëvendësueshëm janë më së lehti të zëvendësueshëm. Kjo vlen sidomos për Fatmir Sejdiun.

Përse pas 30 vjet ekzistimi LDK-së të mos i prijë një 30-vjeçar a 30-vjeçare? Garda e vjetër e LDK-së i dha Kosovës sa diti e sa mundi. Nganjëherë madje e futi në qorrsokak dhe nga 50 për qind e votave e zbriti në gati 20 për qind. Koha për një kapitull të ri. Ka 20 vjet që LDK u shërben partive të tjera për të qëndruar në pushtet. Ka 20 vjet që më shumë ankohet se sa që prin me ide të reja. Ka 20 vjet që në emër të kësaj partie flasin njerëz të njëjtë, madje s’dallojnë më fare për shkak se diksionin e kanë të njëjtë dhe kostumet unike: ngjyrë hiri si politbyroja e Kinës. Komunistët e Kinës vetëm formalisht janë komunistë, në fakt janë shndërruar në kapitalistë novatorë, ndërsa garda e LDK-së ende thirret vetëm në meritat nga e kaluara dhe në Ibrahim Rugovën. Por, përkundër meritave historike me Rugovën nuk fitohet më shumicë e respektueshme në Kuvend. Si çdo shoqëri edhe shoqëria e Kosovës ka ndryshuar dhe po ndryshon vazhdimisht.

Nëse në vitin 1996 njerëzit qetësoheshin, sepse Rugova më 31 dhjetor ua thoshte disa fjalë ngushëlluese, në vitin 2018 të rinjtë e këtij vendi kanë kërkesa të prekshme: vende pune, shtet funksional, qeverisje mundësisht me duar sa më të pastra, sistem të drejtësisë të pandikuar nga politika, plan konkret për reformimin e thellë të këtij vendi nëse vërtet duam që një ditë të largët të jemi së paku vend kandidat për të hyrë në BE. Ky vend ka nevojë për një rrëfim të ri mbi atë se ç’jemi dhe çfarë duam në të ardhmen tonë. Në fillim të viteve ’90 LDK arriti të popullarizojë vizionin për një Kosovë proeuropiane. Atëherë ky vizion tingëllonte i besueshëm. Sot, kur e thonë disa nga këta pretendentët për sundimtar të LDK-së tingëllon si teksti i letër-falënderimit «nga Donald Trumpi» fiktiv. LDK ka nevojë urgjente për një kampionat idesh brenda partisë. Me lojtarë të rinj. Sepse edhe Gjermania e madhe me atë ekip zulmëmadh dështoi në Rusi. Nuk jetohet vetëm nga lavdia e dikurshme që buronte nga miti i Ibrahim Rugovës.