Koha është për një deputet nga Kosova në parlamentin zviceran

Arbër Bullakaj dëshiron të futet në histori si deputeti i parë kosovar në parlamentin zviceran. Gjenerata e dytë ka nevojë për një zë të vetin në Bernë, e citon atë «20 Minuten».




Karrierën politike Arbër Bullakaj e ka filluar me dele. Ishte pllakati me delet e zeza të Partisë Popullore Zvicerane, e cila gjatë fushatës së saj për Iniciativën e Dëbimit në vitin 2007 e mbushi Zvicrën me të. Pllakati sugjeronte se të huajt ishin kriminelë, dhe Bullakaj këtë nuk mund ta pranonte. Me 21 vjet ai u fut vet në politikë. Atëherë sapo e kishte fituar shtetësinë e Zvicrës, ai tani është zëvendëskryetar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës për kantonin e St. Gallenit, deputet i qytetit të Wilit dhe kandidat për deputet nacional. «Unë dëshiroj të ndryshoj diçka», e trasmeton media kosovarin.

Në shikim të parë 29-vjeçari Arbër Bullakaj gazetarit nuk i ngjan në një socialdemokrat tipik. Për takimin me të ai ka zgjedhur restoranin Love Five në një lagje elitare të Cyrihut, të cilën të majtët e shohin si një simbol të kapitalizmit. Bullakaj punon në një projekt aty afër dhe thjesht i pëlqen restorani. Përndryshe, për atë nuk është e refuzueshme që njerëzit të duan të fitojnë para. Ai për më tepër është edhe afarist. «Si ndërmarrës, unë jam i prirur të mendoj edhe në fitim», shprehet ai. Por, për Bullakajn është shumë me rëndësi që të mos humbasë vëmendja për kategoritë e dobëta sociale. Në Ballkan është krejt e zakonshme që anëtarët e një familjeje dhe fqinjët të kujdesen për njëri-tjetrin. «Njerëzit nuk vdesin në azile pleqësh, por jetojnë deri në fund nën kujdesin e familjes», i thotë Arbër Bullakaj medies. Duke qenë se zviceranët janë të organizuar individualisht, është aq më me rëndësi të mbrohen njerëzit në margjina të shoqërisë. «Ky është angazhimi që më pëlqen te SP-ja», citohet ai.

Kur erdhi në Zvicër, bashkë me nënën dhe tre vëllezër e motra të tjerë, Arbër Bullakaj ishte vetëm nëntë vjeç. Me fillimin e konfliktit në Kosovë ata erdhën te babai, i cili punonte prej vitesh si stinor në Zvicër – në bujqësi, në ndërtimtari dhe në industri. Prandaj Arbri është kundër statusit të stinorit, i cili, sipas tij i ndanë burrat nga familja dhe i shpërblenë me një rrogë fyese. Politika e integrimit, pos asaj ekonomike, është në fokus të angazhimit të Arbër Bullakajt. Në Parlamentin e Wilit ai angazhohet për taksa më të ulëta për procedurat e fitimit të shtetësisë zvicerane dhe afate më të shkurtëra të tyre. Për të nuk duhet të jetë vendimtare stazhi i qëndrimit në një vend, por statusi i integrimit të tij. Bullakaj vetë nuk ka pritur ta nxisë dikush për për t’u angazhuar publikisht. Në shkollë ai nuk dëshironte të humbiste asnjë vit. Pas shkollës ekonomike, në një ndërmarrje globale konsaltingu ai përjetoi një ngjitje të shpejtë në karrierë, deri në menaxhment. Prej tre vitesh Arbër Bullakaj drejton firmën e vet të konsultingut. «Në Zvicër secili mund të arrijë gjithçka, çështja është sa mund i duhet të derdhë». Sipas Bullakajt, shumë emigrantë dështojnë në përpjekjet e tyre për t’i mundur paragjykimet dhe barrierat politike. Mu për këtë atyre iu duhet një zë në parlamentin federal.

«Unë nuk dua thjesht një rezultat të mirë në zgjedhje, unë dua të fitoj», shprehet qartë Arbër Bullakaj. Ai e din që gjasat për këtë, duke qenë i nënti në listë, nuk i ka shumë premtuese, por përkrahja që merr ai që nga shpallja e kandidaturës e bind atë që gjithçka është e mundur. Atij i paraqiten vazhdimisht ndihmës vullnetarë. Edhe takimet në rrugë i thonë që: «Koha është për deputetin e parë nacional nga Ballkani». Nëse realizohet kjo ambicie, atëherë Arbër Bullakaj nga dhjetori gjindet bri për bri me idhujt e tij: Barbara Gysi, Christian Levart dhe Cédric Wermuth. Ai mund të llogarisë çdo kohë në përkrahjen e bashkëshortes së tij, Barbaras, e cila është «fati dhe krenaria më e madhe» e Arbër Bullakajt. ks