Koha e pinguinëve dhe e vetëvendosjes

Shënime nga labirinti.



Jeta është plot sfida. Për shembull: zbret nga treni në mëngjes dhe duke fishkëlluar dhe shikuar në horizont mendon për udhëtimin e ardhshëm. Pse jo në Bukuresht? Meqë rumunëve ua kemi vjedhur melodinë e himnit kombëtar, përse të mos harxhojmë ndonjë para në Rumani për të stimuluar ekonominë e atjeshme. Në këtë situatë, kur mendjen e ke në Rumani, përpara të shfaqet një çift. Burri: me dy apo tre dhëmbë alltëni, por jo simpatik si ndonjë klarinetist rom i Gjilanit, të cilin për herë të fundit e ke parë si fëmijë në ndonjë dasmë. Gruaja: edhe pse është 8 marsi, e heshtur, e mbështjellë me një pallto të trashë.

Burri (me një gjermanishte që tingëllon si punimet në gurthyesin e ndonjë komandanti aspak legjendar të UÇK-së): «A mund të më ndihmoni? Kosova. Jam nga Kosova. Gruaja… shtatzënë, e sëmurë…». Këtë sfidë humanitare nuk mund ta injorosh, edhe kur ngutesh për të shkuar në punë. «Nga je nga Kosova?» Burri dhëmbëalltën është i pasigurt, belbëzon, thotë se vjen nga «Ona, Ojna…». Pastaj duke u përpjekur të dëshmojë njohuritë e tij gjeografike njeriu me dhëmbë alltëni, me flokë të zeza dhe me sy të pikëlluar përpiqet të të bind se vjen nga pjesa lindore e Kosovës, «Osten, Kosovo». Të vjen t’i thuash se nuk ka Ojna, as Ona në anën lindore të Kosovës, ka vetëm Muçibabë e Muçivërcë.

Ka një shënim për Muçivërcën në Wikipedia. Aty thuhet: «Muçivërcë është një vendbanim në komunën e Dardanës, Kosovë. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Analum». Muçibaba në Wikipedia është Myçybabë – «një vendbanim në komunën e Gjilanit, Kosovë. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrat Babaj dhe Muçaj». Domethënë liria na e ka dhënë edhe këtë mundësi: një fshat me katër toponime – Muçibabë, Myçybabë, Babaj, Muçaj. Këtij kaosi as Mustafë Muçaj nuk i bie në fije, përkundër përvojës së gjatë në leximin e lajmeve. Ka edhe një Muçibabë tjetër. Gjendet në komunën e Knjazhevacit në Serbi. Në Wikipedia prezantohet kështu (në anglisht): «Mučibaba is a village in the municipality of Knjaževac, Serbia. According to the 2002 census, the village has a population of 110 people». Ndërsa Muçibaba serbe ka 110 banorë, ajo e Kosovës i ka vetëm nëntë shtëpi të banuara. Mediat kosovare njoftojnë: «Fshati Muçibabë, dikur me më shumë se 100 shtëpi, sot numëron vetëm nëntë. Banorët kanë braktisur këtë vend të harruar nga autoritetet komunale. (…) Fshati Muçibabë tash ka vetëm nëntë familje, të cilat kanë mbetur në mëshirën e fatit. Nuk ka arsim, nuk ka shëndetësi, nuk ka infrastrukturë».

Jeta është plot sfida. Njeriu me dhëmbë alltëni u dorëzua. Reagoi i lehtësuar kur e pyeta nëse vinte nga Rumania. «Rumänien, ja, ja, Rumänien». Vendosi vetë të largohej, duke e parë se nuk ia vlente më të kërkonte ndihmë pasi më kishte gënjyer se vinte nga Kosova. U largua me një buqetë fjalësh rumune, të cilat me siguri nuk qenë të përzemërta si vargjet e poetit rumun me origjinë shqiptare Mihai Eminesku.

Jeta është plot sfida. Ndërsa në livadhet tona politike flitet për hyrje-daljet në Vetëvendosje, një përzierje mes tragjedisë antike dhe cirkut modern, BBC gjithnjë e më shpesh po e interviston shkencëtarin Tom Hart. Ne flasim për statuset fyese që ia kushtojnë njëri-tjetrit politikanët, militantët dhe filozofët e VV-së, të cilët deri dje i prezantoheshin opinionit si vëllezër e motra të pandarë, kurse BBC falë Tom Hart e zgjeron pak horizontin tonë të dijes. Hart nuk i ka numëruar dorëheqjet nga VV, as aderimet, as statuset në mediat sociale («Rroftë Albini, poshtë Albini»), nuk i ka numëruar as kunjat e kryetarit të Prishtinës dhe ish-anëtarit të VV-së. Tom Hart nuk i ka numëruar të frustruarit dhe mashtruesit e partisë ish-më-të-madhe kosovare, por pinguinët. Në Danger Islands në lindje të Siujdhesës së Antarktikut ai dhe ekipi i tij kanë bërë një zbulim: kur të gjithë flasin për zhdukjen e pinguinëve, ata numëruan 1,5 milionë pinguinë. Hart dhe ndihmësit e tij numëruan saktë: 751’527 çifte pinguinësh. Siç po e shihni: ka shpresë për njerëzimin! Këta, pra pinguinët, mund të shtohen, dashuria e shkrin edhe akullin arktik – gjë që s’mund të thuhet as për ata që po mbesin në VV, as për këta që po kërkojnë pinguinë të rinj për një parti të re. Gazetari amerikan Joe Moore e ka thënë këtë fjali të bukur dhe të vërtetë: «Praktikisht është e pamundur ta shikosh një pinguin dhe të bëhesh nervoz». Kush do të mund ta thoshte këtë në rastin e zemërshpërndarësve politikë të Vetëvendosjes?