KMDLNj reagon për mospërfshirjen e të burgosurve të mitur në sistemin arsimor

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar me rastin e mos përfshirjes në sistemin arsimor të të miturve që janë duke u mbajtur në Burgun për të Mitur në Lipjan, transmeton Koha.net.




Reagimi i KMDLNJ-së:

Që nga fillimi i vitit shkollor 2015/2016, të miturit që janë duke u mbajtur në Qendrën (Burgun) për të Mitur në Lipjan, janë të përjashtuar nga njëra ndër të drejtat elementare të personave të privuar nga liria, e drejta për arsim dhe aftësim profesional që edhe parashihet me LESP sikur edhe me Ligjin për Arsim të Kosovës.

Arsyetimi i drejtorisë komunale për arsim në Lipjan është se nuk kanë kuadër të mjaftueshëm andaj, deri në një zgjidhje tjetër nuk do të vazhdojë mësimdhënia për të miturit e privuar nga liria.

KMDLNj ka pasur një takim me u.d. të Drejtorit të SHKK-së, z. Sokol Zogaj për të gjetur rrugë dhe mundësi që ky problem të tejkalohet. Vitin e kaluar kanë qenë të angazhuar 6 mësimdhënës në Qendrën për të Mitur në Lipjan kurse në vitet para kësaj kanë qenë të angazhuar 9 dhe 11 mësimdhënës.

Për KMDLNj-në është brengosëse rënia e numrit të mësimdhënësve deri në një situatë kur edhe nuk ka fare të angazhuar në mësimdhënie edhe për këtë e pësojnë të miturit e privuar nga liria, pa fajin e tyre. KMDLNj në bazë të monitorimeve të rregullta në këtë qendër konstaton se kushtet për mësim në këtë qendër janë të mira madje më të mira se në disa shkolla publike. Së voni është formuar një Komision trepalësh për tejkalimin e situatës por ende nuk ka zgjidhje.

KMDLNj kërkon nga MASHT-i si autoritet më i lartë për arsim dhe nga vet ministri Arsim Bajrami që sa më shpejt që është e mundur ta bëjnë një zgjidhje që të miturit e privuar nga liria të jenë në gjendje t’i vijojnë mësimet sikur edhe t’i kompensojnë orët e humbura.

Personat e privuar nga liria kanë të drejtë për arsimim fillor dhe të mesëm sikur edhe trajnime për aftësime sepse kjo është pj esë shumë e rëndësishme e programit për risocializimin e tyre të suksesshëm dhe integrimin e tyre në shoqëri pasi ta përfundojnë dënimin.

KMDLNj shpreson se do të ketë një zgjidhje të shpejtë ndryshe do t’i bartin përgjegjësitë për shkelje dhe diskriminim flagrant të personave të privuar nga liria e në rastin konkret të një kategorie shumë të ndjeshme dhe të lëndueshme siç janë të miturit e privuar nga liria.