KMDLNj kundër seancave në Kuvend pa krijimin e kushteve

KMDLNj e ripërsërit qëndrimin se përdorimi i gazit lotsjellës nga cilado palë është veprim i dhunshëm që për pasojë e ka rrezikimin e shëndetit për të gjithë. KMDLNj vlerëson se nuk ka masa sigurie apo kontrolli që mund të përdoren e që do të pengojnë futjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton TV ARTA.




«Është e parëndësishme se kush e futi gazin lotsjellës brenda apo kush e aktivizoi për faktin se opozita po vepron e sinkronizuar mirë dhe nuk po fshihet pas këtyre veprimeve, por po e bën në mënyrë të hapur dhe shumë transparente. Deri më tani Kryesia e Kuvendit, kryetari e as vetë deputetët nuk po gjejnë zgjidhje për këtë situatë. KMDLNj vlerëson se nuk duhet të thirret seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës pa u krijuar kushtet, qoftë përmes marrëveshjes pozitë-opozitë, ndërhyrjes së presidentes së Kosovës apo ndonjë formë tjetër që e përjashton dhunën, si mjet i zgjidhjes së problemit. Është i papranueshëm çdo kushtëzim nga cilado palë sepse dorëzimi para kushtëzimeve krijon një situatë kur 10-15 deputetë, të pakënaqur me arsye apo pa arsye në çdo kohë dhe çdo rast mund ta bllokojnë punën e Kuvendit», thuhet në reagimin e këshillit. KMDLNj po ashtu konsideron se loja me murale, që nga fillimi ka qenë dhe është e pandershme dhe është bërë për përfitime politike.