KMDLNJ: Gaxherri të kërkojë falje publike për ish të burgosurit politikë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kërkon nga deputetja Besa Gaxherri që t’iu kërkojë falje ish të burgosurve politikë për cilësimin që u bëri ditë më parë atyre.




Gaxheri, sipas KMDLNJ-së, ditë më parë i quajti ish të burgosurit politikë si njerëz jonormalë, dhe për këtë deklaratë, ajo duhet të kërkojë falje publike.

«Kohë më parë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Gaxherri ka fyer rëndë të gjithë ish të burgosurit politikë të cilët i ka cilësuar si njerëz jonormalë. Pohimet e saj i ka mbështetur gjoja në të gjeturat shkencore mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk e arsyeton deputeten Gaxherri për këtë fyerje të rëndë që ia drejton atyre që u sakrifikuan shumë duke kaluar nëpër tortura çnjerëzore që ndaj tyre e bënte policia serbe me bashkëpunëtorët shqiptarë dhe duke kaluar dekada e dekada burgje në llogoret e ish-Jugosllavisë», thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Kjo fyerje, sipas këtij Këshilli, përveç se përbën gjuhë të urrejtjes e cila sanksionohet me ligjet në fuqi, është edhe një racizëm verbal i deputetes në fjalë.

Për KMDLNj-në është e çuditshme heshtja dhe mos reagimi i Shoqatës së të Burgosurve Politikë ndaj fyerjeve që u bëhet të gjithë anëtarëve të kësaj shoqate që përfaqëson dhe mbron interesat e kësaj kategorie shumë sakrifikuese.

«Deputetja Gaxherri i detyrohet një kërkim falje publike ish të burgosurve politikë për fyerjet dhe nënçmimet që ua ka bërë në një përballje publike në të kundërtën SHBP do të duhej ta bëjë një kallëzim penal pranë prokurorisë përkatëse në mbrojte të anëtarësisë së gjerë», thekson më tej KMDLNJ, transmeton Koha.net.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut thotë se llogaritet se janë dhjetëra mijëra shqiptarë që kanë kaluar nëpër duart e sigurimit jugosllav ndërsa një numër i madh i tyre është mbajtur në izolim, është dënuar për kundërvajtje, me burgim afatgjatë, janë mbytur në torturë apo kanë mbetur me pasoja të përjetshme për shkak të aktiviteteve politike.

«Kuvendi i Kosovës, por edhe subjekti politik anëtare e së cilës është deputetja Gaxherri, duhet të distancohen nga kjo deklaratë fyese, nënçmuese, mohuese dhe raciste e deputetes në fjalë», ka kërkuar në fund KMDLNJ.