Klinika e Neonatologjisë në QKUK përfiton donacion pajisje mjekësore

Në Klinikën e Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është bërë pranim-dorëzimi i donacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në vlerë mbi 55 mijë eurosh.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Izet Sadiku, e quajti të mirëseardhur këtë donacion për Klinikën e Neonatologjisë, shkruan sot «Koha Ditore».

Donacioni përmban aparatin për EKG, monitor kardiopulmonar, inkubatorin transportues, fotollampat, ngrohëset radiante, pompat infuzive, peshore dhe të tjera pajisje në vlerë mbi 55 mijë euro.

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) duke folur për rëndësinë këtij dhe donacioneve tjera, njoftoi se nga muaji janar i këtij viti e deri më tani SHSKUK-ja ka pranuar donacione në vlerë mbi 6.5 milionë euro.

Dr. Mynevere Latifi- Hoxha, drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë, tha se në këtë klinikë brenda viti trajtohen mbi 11 mijë foshnje të porsalindura. Ajo shfaqi shpresën që me ndërtimin e objektit të ri të kirurgjisë pediatrike do të krijohet edhe kujdesi intensiv neonatal me 44 shtretër, me standarde dhe kushte shumë më të mira dhe pajisje të sofistikuara.