Kjo natë e paharrueshme në kërkim të yjeve

Një festë shqiptare në Francë. Dhjetë shënime nga metroja e Lyonit dhe skutat e tjera.

Këtu ndodhi një mrekulli: Stadiumi në Lyon, ku Shqipëria mposhi Rumaninë.

1.
Të jesh i barabartë me të tjerët. Kjo ndoshta është ndjenja më e bukur që përjetuan shqiptarët të dielën e 19 qershorit. Në fakt festa vazhdoi deri të hënën në orët e hershme të mëngjesit në rrugët e Lyonit. Para dy-tri vitesh shqiptarët prodhonin tituj gazetash si refugjatë në Francë, si varfanjakë që më shumë preferonin të jetonin nën ura të Lyonit apo në tenda se sa të ktheheshin në Kosovën e çliruar, prej së cilës kishin ikur. Në fundjavë ata erdhën jo si refugjatë, por për të demonstruar se janë të barabartë me europianët e tjerë.

2.
Në metronë e Lyonit më shumë se kudo tjetër të dielën dëgjoje të gjitha dialektet e trevave shqiptare. Lushnjë. Kavajë. Gjakovë. Dhe humor të mprehtë: «Obobo, kjo metro e Lyonit qenka si e Lul Bashës».

3.
Ndeshje me rumunët. Ky është rast për të kujtuar diçka nga historia. Së fundi gazetari Nehat Islami ka botuar një libër me reportazhe e portrete të shkruara gjatë karrierës së tij. Një vend prominent zë edhe Rumania. Islami shkruan: «Prezenca e shqiptareve u regjistrua në Bukuresht që nga viti 1628. Autoritetet kanë shënuar se më 1595 janë lejuar 15 mijë shqiptarë të kalonin në veri të Danubit, në Transilvani, ku më 1628 shqiptari Vasilie Lapu u bë princ. Historia e këtushme njeh edhe shumë princër dhe bujarë shqiptarë, si dhe kohën e artë të Rilindjes kombëtare të Elena Gjikës (Dora d’Istria), Naim Frashërit, Jani Vretos, Naum Viqilharxhit e shumë të tjerëve që i vunë themelet e forta vetëdijes kombëtare».

4.
Sipas statistikave zyrtare, më 1893 në Rumuni jetonin 30 mijë shqiptarë, të ardhur kryesisht nga Shqipëria e Jugut. Shumica ishin zejtarë, manifakturistë e madje edhe tregtarë të mëdhenj, bën të ditur Nehat Islami. «Gjatë Jugosllavisë mbretërore dhe para saj, nga viset shqiptare të Maqedonisë së sotme dhe nga Kosova në Rumuni arritën edhe furrtarë dhe ëmbëltorë. Ndër ta shquhet familja Maksuti, (Maksutoviqi) nga Gostivari, e cila, duke prodhuar bozë dhe ëmbëlsira, së bashku me shqiptarët e tjerë, ndihmoi botimin e veprave të Asdrenit dhe të të tjerëve në Konstancë, në hapjen e shkollës së parë shqipe më 1905 në Bukuresht dhe në Konstancë, në hapjen e kishës dhe xhamisë shqiptare në tokën rumune, si dhe mbështeti me të holla edhe punën e korit të burrave në Bukuresht, i cili për herë të parë ushtroi dhe këndoi publikisht <Himnin e Flamurit>». Të dielën kishte shqiptarë me plis në Lyon, shqiptarë që ëndërronin Parisin me plis dhe të tjerë që me krenari kujtonin të gjithë ata patriotë që dikur e bënë Bukureshtin qendër të emancipimit kombëtar.

5.
Reportazhi i Nehat Islamit është botuar në vitin 1974 në gazetën «Rilindja». Është dëshmi e një kohe kur Kosova nuk ishte provincë. Sot ndër viset shqiptare ka shumë më tepër gazetarë dhe mediume se në vitet ’70, por s’botohen më tekste të tilla, tash reportazhi, një zhanër mbretëror i gazetarisë, në mediumet tona kufizohet te të pasmet e Kallashit.

6.
Ka ndër fansat rumunë në Lyon edhe të tillë që e njohin Viktor Eftimiun, «poet i gjashtëdhjetë mijë vargjeve, romaneve, dramave, i lindur në Boboshticë të Korçës dhe i ardhur në Bukuresht si fëmijë me kujtimet dhe mallin e vendlindjes që i përmblodhi edhe me këtë fjali: <Stërgjyshërit i mi janë fisi i kërkimtarëve të yjeve që ëndërronin botën gjatë tërë jetës së tyre>». Të tillë dukeshin edhe shqiptarët të dielën në mbrëmje: njerëz të Europës në kërkim të yjeve.

7.
Mes fansave rumunë kishte edhe të tillë që flisnin me plot entuziazëm për Shqipërinë. Njëri prej tyre, duke pritur metronë, tregon se ka bërë një udhëtim nga Shkodra në Sarandë. «Dermia, ah Dermia», thotë ai – dhe mendon plazhin e Dhërmiut, këtë Palma de Mallorca shqiptare ku verës festohet jeta, jo vetëm me tym mariuane.

8.
Lyoni ishte një rast i mirë për t’u takuar me miq nga Stuttgarti (Antoni, Denisi, Dukagjini…), me të tjerë nga Amerika (për shembull me Beharin që buzëqesh edhe kur bie breshër), por edhe me familjarë. Para ndeshjes, gjatë ndeshjes dhe pas ndeshjes shqiptarët i bërtisnin njëri tjetrit në telefon: «Ku je? Unë jam te hyrja N, blloku 16, ulësja 78». Apo 79. Një dreq e di. Me rëndësi këtu jam, në këtë natë të paharrueshme në kërkim të yjeve

9.
Shpesh të dielën metroja dridhej nga brohoritjet shqiptare, por s’kishte asnjë agresivitet, ishte vetëm një demonstrim vetëbesimi, ai momenti obamian: Yes We Can, edhe ne mundemi.

10.
Mund të jemi ndryshe. Si ai adhuruesi i flaktë i Kombëtares që në metro pa bujë dhe me mirësjellje ia lëshon vendin për t’u ulur një plake franceze. Ishte një natë kur shqiptarët shkëlqyen me mirësjellje, një natë në kërkim të yjeve dhe një natë kur ndonjë rumun mund të ketë menduar: «Çfarë qeverie torollakësh kemi që s’e pranon ende pavarësinë e Kosovës!»