Kjo dashuri

Foto: Shutterstock



Kjo dashuri
Kaq e dhunshme
Kaq e brishtë
Kaq e butë
E dëshpëruar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E zymtë si koha
Kur bën mot i keq
Kjo dashuri kaq e vërtetë
Kjo dashuri kaq e bukur
E lumturuar
E gëzuar
Po edhe e mjerë
E dredhur si fëmijë kur nata zë të bjerë
Me ndjenjë sigurie të lartë
Si njeri i qetë në mesnatë
Kjo dashuri që të tjerët i trembte
I bënte të pëshpëritnin
Kjo dashuri që i zbehte
Qe e gjurmuar
Se vetë e gjurmojmë
E ndjekur e plagosur e shkelur e sosur mohuar harruar
Se vetë e kemi përndjekur plagosur sosur mohuar harruar
E tërë kjo dashuri
Ende kaq e gjallë
Me ndriçim diellor të rrallë
Kjo dashuri është e imja
Është e jotja
E atij tjetrit
Gjithmonë e re
Që mbet ashtu siç qe
E vërtetë si një pemë
Drithëruar si një zog
E ngrohtë kaq e gjallë
Si vera vjen e bardhë
Ne që të dy
Do ikim e do vijmë
Ne mund dhe të harrojmë
E gjumi të na zërë
Të zgjohemi sërish
Të vuajmë e të plakemi
E gjumi prapë vjen
E vdekjen t’ëndërrojmë
Përmendemi sërish
E qeshim dhe gëzojmë
E jetë marrim rishmëzi
Po dashuria s’do humbasë
Asgjë atë nuk do ta tresë
E ndezur si dëshirë
Mizore si kujtesë
Budallaqe si pendesë
E butë si kujtime
E ftohtë si mermer
E bukur si një ditë
E brishtë si fëmijë
Me gaz na sheh në sy
Na flet pa nxjerrë fjalë
E dridhem posi valë
Thërras
Thërras për ty
Për veten time thërras
E duke lutur rri
Për ty për veten time
Dhe tër‘ ata që duhen
Dhe tër‘ ata q’u deshën
Dhe ja tek i thërras
Për mua e për ty
Këdo që vjen më pas
Ende që nuk e njoh
Ti prit atje
Më prit atje ku je
Mos ikë mos mërgo
Se ne që dashuruam
Ty prapë të harruam
Po ti mos na harro
Gjë tjetër s’ka veç teje
Sado larg që të jesh
Nuk e di se ku
Së largu do na gjesh
Të fshehur pas një peme
A ndofta dhe më vonë
Si një pyll të dendur
Brenda kujtesës sonë
E sa të mundesh më shpesh
Fytyrën na dëfto
E dorën na e zgjat
Dhe shpirtin na shpëto.

Përktheu: Dalan Shapllo