Kisha shekullore e Ujëmirit

E ndërthurur me legjenda dhe herë pas here e dhunuar nga pushtues të ndryshëm, kisha e njohur zyrtarisht si e Shën Pjetrit dhe Palit, në Bjeshkët e Pjetrovicës në Ujëmir të Klinës, ende vazhdon të qëndrojë «në këmbë».




Goditja me predha topi që i ishte bërë në luftën e fundit nga forcat ushtarake serbe, duke u shënjuar nga kodra përballë, e kishte gjymtuar hyrjen e saj, në anën jugore të objektit, shkruan sot Koha Ditore.

Sulmi i saj ishte bërë nën dyshimin se aty po gjenin strehim ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gurët e davaritur e të shkapërderdhur pranë saj nga goditja flisnin edhe më tepër për brishtësinë e këtyre anëve.

Shteti jugosllav e kishte vënë nën mbrojtje objektin që në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, por në fund të të njëjtit shekull Serbia e kishte vënë në shënjestër të topave.

Por, banorët theksojnë se as shteti i Kosovës nuk ka pasur ndonjë interesim të shtuar për të. Kisha e Shën Pjetrit, siç i thonë në Ujëmir, është një emër që e kanë për qejf banorët përreth. Atyre, edhe pse me përkatësi myslimane, Shën Pjetri u bëhet sinonim i përhapjes së hershme të krishterimit në këto troje.

Sa herë që e zënë ngoje atë fjalë, mendja u shkon tek apostulli i Jezu Krishtit, Pjetri. Edhe emërtimin e Bjeshkës, vendndodhjen e objektit, e cilësojnë me burim nga Shën Pjetri. As kjo s’u mjafton.