Kisha e Pejës, në nderim të shenjtëreshës së Aleksandrisë

E madhe dhe e bukur është kisha «Shën Katarina» në Pejë. Ajo që sot mbizotëron në lagjen e «Sahat Kulla» në qytetin perëndimor të Kosovës, u ndërtua në vitin 1927-28. Krejt kjo nën përkujdesjen e Atë Lorenc Mazrekut.




Por kisha e sotme, është e ndërtuar mbi themelet e një kishëze më të vjetër katolike.

Emrin e mban Shën Katarina, shenjtëresha egjiptiane e Aleksandrisë, që u martirizua për krishterimin, shkruan sot «Koha Ditore».

Kjo është e vetmja kishë në Kosovë që u ngrit në nderim të saj, ani pse ky emër është i përhapur në objektet e kultit katolik gjithandej nëpër botë.

Shumë legjenda lidhen me ndërtimin e Kishës në Pejë. Edhe më shumë se aq, legjenda ka për Katarinën e bukur, që jetoi nja 16 shekuj para se kisha në emër të saj të ndërtohet në Pejë.

Përtej legjendash e historish, pejanët e moçëm ruajnë me xhelozi kujtimet që i lidhin me Kishën. E kanë të freskët shijen e bonboneve që ua jepnin murgeshat.