Kisha e lashtë në Bullgari pritet të jetë «kryeqyteti» i ardhshëm kulturor në Europë

Një kishë e lashtë në Bullgari ka zbuluar së fundmi mozaikë të hershëm, të cilët do të hapen për publikun në vitin 2019, kohë kur zona do të synojë të hyjë në trashëgiminë kulturore të UNESCO-s.

Gjetjet arkeologjike të Bazilikës së Peshkopit. Foto: Komuna e Plovdivit, Bullgari.



E ndërtuar midis shekullit të 4 dhe të 5 të erës sonë në qytetin romak të Filipopopolisit, në Plovdivin e sotëm, Bazilika e Peshkopit është një nga vendet më të rëndësishme të krishtera të zbuluara në Bullgari, të cilat datojnë nga ajo periudhë.

Pas vitesh në rrënim, ajo u zbulua aksidentalisht në vitet 1980. Restaurimi i saj filloi në vitin 2015 me iniciativën e Fondacionit Amerika për Bullgarinë. Kjo organizatë investoi mbi 4 milionë euro në zbulimin e mozaikut të mrekullueshëm të bazilikës.

Deri në korrik 2017, kur mbaroi gërmimi, u zbuluan mbi 2.000 metra katrorë të një mozaiku, ku përfshiheshin imazhe të mrekullueshme të mbi 70 specieve shpendësh, që besohet të simbolizojnë shpirtrat e të krishterëve të porsapagëzuar.

Një nga gjetjet më mbresëlënëse është një medaljon palloi i ndodhur në hyrjen kryesore të kishës së hershme të krishterë e cila ka dy kate.

Kërkimet arkeologjike kanë zbuluar brenda ndërtesës kolona të hershme të rëndësishme.

Pas përfundimit të punimeve të restaurimit dhe ruajtjes, dy katet e ndërtesës së lashtë do të mbulohen me një sipërfaqe mbrojtëse nën një çati panoramike prej qelqi, siç parashikohet nga komuna e Plovdivit.

Hapja e vendit historik pritet të bëhet në 2019, kur Plovdivi, qyteti më i pasur i Bullgarisë në aspektin e historisë së lashtë, do të inagurohet si Kryeqyteti i ardhshëm Europian i Kulturës.

Në shkurt të këtij viti, administrata e qytetit njoftoi se do të aplikojë për statusin e UNESCO-s për Bazilikën e Peshkopit.

(https://www.reporter.al/kisha-e-lashte-ne-bullgari-pritet-te-jete-kryeqyteti-i-ardhshem-kulturor-ne-europe/)