Kirurgu i famshëm shqiptar në Austin të SHBA-ve, i frymëzuar nga Nënë Tereza

Një nga personat që do të udhëtojë javën e ardhshme për të takuar Papa Françeskun është një prej neurokirurgëve më të njohur të Austinit, Dr. Mateo Ziu.




Mjeku i lindur në Shqipëri ka jetuar një jetë të mrekullueshme, të inspiruar nga puna sfiduese e një ikone tjetër religjioze. Dr. Ziu ka qenë adoleshent kur komunistët i dhanë fund rrënimit të Shqipërisë dhe u larguan. Një grua shtatshkurtër me një zemër të jashtëzakonshme ndihmoi në rikthimin e besimit atje, Nënë Tereza. Ajo e mori doktorin nën krahun e saj prej engjëlli dhe përfundimisht e bëri të mundshëm shkollimin e tij në mjekësi.

Doktori, që punon në Institutin «Seton Brain and Spinal», kryen intervenime kirurgjike vetëm për raste të tmerrshme dhe të vështira.

«Kur diagnostikohen me tumor në tru, është një prej diagnozave më të frikshme të mundshme. Unë kënaqem nëse mund t’ua zgjas jetën sa më shumë që të jetë e mundur atyre pacientëve që të mund të qëndrojnë me familjet e tyre sa më gjatë», thotë ai.

Mateo Ziu u inspirua dhe iu përkushtua besimit dhe mjekësisë pasi takoi Nënë Terezën derisa ajo po punonte për rindërtimin e një kishe në Shqipëri. «Kisha dy miq shumë të mirë që e dinin se ajo po vinte në Shqipëri ndërsa meshën e parë e mbajti në këtë kishë të vjetër të hapur, të shkatërruar nga komunistët. Dhe kështu shkova atje dhe u inspirova shumë nga ajo që fliste. Meqë u bëra një prej vullnetarëve me motrat e nderit, pata rastin ta takoja atë dhe ndonjëherë edhe të përktheja kur ajo fliste me të tjerët», thekson Dr. Ziu, transmeton Koha.net.

I pyetur nga «Kxan» se si ishte ajo, Ziu thotë: «Është shumë e vështirë të përshkruhet se është diçka që e ndjen. Ishte një zonjë e vogël, e buzëqeshur, tregonte shaka, por e shkurtër. E dinte se çfarë donte».

«Kur e kujtoj atë kohë, më duket sikur Zoti ishte prezent në të. Kjo e bën tërheqjen, është si një magnet. Rritet në ju», shton ai.

Ata u bën të afërt dhe Mateo kujton momentin kur i kishte bërë një pyetje të rëndësishme. «Më tha, përse nuk bëhesh prift me mua. I thash se do të doja të bëhesha fizikan për t’i ndihmuar të gjithë. Ajo më tha në rregull, mos u brengos».

Por ai nisi të hamendej se si do të mund shkollohej në mjekësi. Atëherë një ditë ai fitoi një bursë nga «Catholic Charities» në një universitet në Itali. «ndodhi disi, nuk e di si, sepse asnjëherë nuk më tregoi», thotë ai me buzëqeshje.

Pasi kaloi kohë në «M. D. Anderson» në Houston, Dr. Ziu shkoi në Austin dy vjet më parë, i tërhequr pjesërisht për shkak të shkollës mjekësore atje. I frymëzuar nga Nënë Tereza, ai është bërë kirurg i nivelit të lartë në fushën e tij dhe tani do të takohet me Papën.

Por, çfarë pret ai? «Për mua, Papa Françesku është i ngjashëm me Nënë Terezën. I hapur dhe flet me të gjithë. Sjell fjalën e Zotit në mënyrë të thjeshtë, për të gjithë».

«Jam në këtë vend tani sepse ishte Nënë Tereza ajo që më ndihmoi më së shumti që të arrija këtu. Përmes mënyrave të saja, mendoj se jam këtu për të kryer detyrën e Zotit, në një mënyrë apo tjetër», thekson ai.

Kirurgu shqiptar do të takojë Papa Françeskun në Washington të mërkurën, ndërsa po atë ditë do të kthehet në Shqipëri.