Kineasti shqiptar pranon çmimin «Regjisor i vitit» në Norvegji




Regjisori i cili ka shfrytëzuar filmin për t’ia rrëfyer botës historinë shqiptare, në një ceremoni në Universitetin e Norvegjisë, ka pranuar çmimin që i jep epitetin «Regjisor i vitit» në shtetin skandinav.

 

Izer Aliu bashkë me Johanne Hestvold janë fitues të çmimit «Artistët e rinj të vitit 2015» në shtetin norvegjez. Për këtë çmim nuk aplikohet, por juria vlerëson punën e artistëve që kanë punuar brenda një viti, shkruan sot Koha Ditore.

Çmimet kanë edhe vlerë monetare prej 100 mijë krunave (rreth 10 mijë euro) dhe janë ndarë në ceremoninë e shoqëruar edhe me një ligjëratë. Fotografi nga ceremonia ku Aliu ka pranuar çmimin janë bërë publike nëpërmjet profilit të tij në «Facebook». Mediet norvegjeze qysh në muajin gusht kishin bërë publik emrat e fituesve të këtij çmimi.

Aliu, me prejardhje nga Maqedonia, familja e të cilit emigroi në Skandinavi kur ai ishte 3 vjeç, me filmat e tij ka arritur që të vlerësohet në festivale të rëndësishme të filmit.