Kineastët i largohen temës së luftës në projektet filmike




Derisa ka nisur prezantimin për t’i bindur anëtarët e jurisë që ta votojnë projektin e saj filmik me titull «Një tregim Prishtine», regjisorja Burbuqe Berisha ua ka rrëfyer atyre një histori të shkurtër, nis raportin «Koha Ditore» e sotshme.

 

«E kam pasur një skenar tjetër prej të cilit kam hequr dorë në momentin e fundit, për arsye se ka qenë temë e luftës. Kam menduar se është duke u përsëritur tash një kohë të gjatë ajo temë», ka thënë Berisha, e cila në prezantimin e projektit të saj për film debutant në «pitchingun» e organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka qenë e shoqëruar nga skenaristja Geotarbë Mulliqi dhe producenti Agron Vula. Drama sociale që shtjellon skenari me të cilin ajo ka konkurruar për të marrë mbështetje financiare shteti, ka të bëjë me historinë e çiftit dhe djalin e tyre të sëmurë me kancer.

Temat sociale dominojnë në mbi 60 projektet filmike që janë pjesë e konkursit të sivjetmë të QKK-së. Prezantimet e filmave të metrazhit të gjatë janë bërë të shtunën, derisa e hëna ka qenë e rezervuar për projektet për filma të shkurtër, dokumentarë, animacione, filma të gjatë debutantë dhe zhvillim skenari. Në një hotel në dalje të kryeqytetit, juria në përbërje të aktorit kosovar me nam botëror, Arben Bajraktaraj, shkrimtarit Eqrem Basha, aktores Rebeka Qena, aktorit e prodekanit në Fakultetin e Arteve, Hazir Haziri, aktorit e publicistit Imer Mushkolaj, regjisorit Yll Çitaku dhe dramaturgut Jahi Jahiu – ka dëgjuar ekipet e projekteve konkurruese në prezantimet e skenarëve dhe planeve të punës për realizimin e tyre.

«Filmi do ta trajtojë temën në formë dokumentare dhe s’do të ketë shumë kërkesa teknike, por më shumë kërkesa artistike. Shumëçka do të zhvillohet me rolet kryesore me të cilat do të punohet e ndoshta do të ndihmojnë edhe në pjesën e dialogut», ka vazhduar shpjegimin Berisha, për skenarin që, siç ka thënë ajo, e ka bazuar në ngjarje të vërtetë dhe do ta realizojë në «frymën e filmit evropian». Skenari i filmit të saj është një nga fiks 65 sish që ka lexuar juria. Në kategorinë e metrazhit të gjatë, mes të tjerësh, kanë konkurruar projektet «Ndjekësi i trenave» me skenar e regji të Ajmon Salihut, «Karuseli» me skenar e regji të Ilirjan Himajt, «Albanian Oskar» me regji e skenar të Jeton Ahmetajt, «Njeriu i dosjeve» me regji të Ismet Sijarinës e skenar të shkruar në bashkëpunim me Arian Krasniqin. Konkurrent është edhe Halil Budakova me projektin «Kosova me Adem Jasharin».

Votimet e anëtarëve të dy jurive do të publikohen gjatë kësaj jave, kur edhe do të bëhen publikë emrat e fituesve të konkursit me të cilin QKK-ja e kishte shkelur rregulloren për subvencionimin e projekteve filmike, duke vonuar emërimin e jurive që vlerësojnë ata që do të përfitojnë nga buxheti i shtetit. Juria vlerësuese për filmat e metrazhit të gjatë përbëhet nga Brendan Ward, skenarist e profesor në Columbia University, aktori shqiptar Ndriçim Xhepa, shkrimtari Kujtim Rrahmani, regjisori Gjergj Xhuvani, producenti belg Jean-Yves Roubin, dramaturgia Fjolla Hoxha dhe kameramani Sylejman Kllokoqi. Emërimi i dy jurive ishte bërë publik 25 ditë pas përfundimit të afatit që përcaktohet me rregullore.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se në konkursin e sivjetmë është vërejtur distancim nga temat e luftës.

«Tash ka më shumë skenarë që po merren me tema sociale. Ka pasur sërish projekte që janë marrë me luftën, por tash kryesisht janë marrë me tema sociale ose me pasojat e luftës. Pra, lufta pesëmbëdhjetë vjet pas nuk është temë direkte», ka thënë Zharku.

Sipas tij, një tjetër gjë që është vërejtur në konkursin e sivjetmë të QKK-së për financim të projekteve është përgatitja e mirë e aplikuesve.

«Edhe prej komenteve të jurisë, edhe të komisionit financiar është vërejtur një punë shumë më profesionale sa i përket buxhetimit të projektit, aplikimeve që kanë qenë krejt në rregull», ka thënë ai.

Zharku ka shtuar se QKK-ja është munduar t’i plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme që procesi i prezantimit të projekteve të shkojë siç duhet.

«Ajo që po mundohemi të bëjmë është që të gjitha projektet që kanë aplikuar të kenë trajtim shumë të mirë, t’u ofrojmë të gjitha kushtet teknike në mënyrë që ata të ofrojnë më të mirën që e kanë prej projektit të tyre. Secili aplikues ka mundësi të xhirojë video, të lidhet me ‘skype’ me këdo në botë nëse kanë ndonjë koproduksion», ka thënë Zharku. Ai ka folur edhe për shpalljen e fituesve.

«Gjatë kësaj jave, QKK-ja do t’i publikojë rezultatet e votimit të të dy jurive», ka thënë ai.

Për subvencionim të projekteve filmike sivjet janë në dispozicion 750 mijë euro. Vonesat në miratimin e Ligjit të ri për kinematografi janë shkak që edhe këtë vit projektet për film të metrazhit të gjatë të mos mbështeten nga Qendra Kinematografike e Kosovës me një përqindje më të madhe sesa vitet e kaluara. Në fund të korrikut, Projektligji për kinematografi u miratua në parim e sipas ligjit aktual filmbërësit e kësaj kategorie përkrahen me 51 për qind të buxhetit total, përderisa, sipas projektligjit, filmat vendorë të metrazhit të gjatë dhe ata dokumentarë mund të subvencionohen deri në 70 për qind të buxhetit të përgjithshëm të filmit, derisa ata të metrazhit të shkurtër, të animuar dhe të regjisorëve debutues mund të subvencionohen deri në 90 për qind.