Khas­hog­gi apo Hashikxhij? Historia e një klani lugëbërësish

Adnan Khas­hog­gi ka qenë xhaxhai i gazetarit të vrarë saudit Ja­mal Khas­hog­gi (ose: Xhemal Hashikxhij, siç duhet të shqiptohet në shqip). Përtej emrit historia e klanit Khashoggi është e pasur me afera, skandale, dredhi, tregti me armë, orgji seksuale dhe ndikim të madh politik dhe ekonomik deri në shtëpinë mbretërore saudite. Adnan Khashoggi, i konsideruar si njeriu më i pasur në botë, kishte edhe një mik shqiptar.

Adnan Khashoggi me njërën nga gratë e tij të shumta.



Sipas supozimeve të fundit trupi i Ja­mal Khas­hog­gi (Xhemal Hashikxhij) menjëherë pas vrasjes është tretur në acid. Por, për historinë e klanit të tij ende nuk janë thënë të gjitha. Sepse historia e familjes Khas­hog­gi është tepër interesante. Së pari sa i përket mbiemrit. Në mediat ndërkombëtare emri i gazetarit saudit po shkruhet kështu: Ja­mal Khas­hoggi. Sipas profesorit Xhabir Hamiti në shqip emri duhet të shqiptohet si vijon: Xhemal Hashikxhij. Fjala Hashikxhij rrjedh nga gjuha osmane dhe në gazetat turke shkruhet «Kaşikçi». Kjo fjalë domethënë: «lugëbërës». Të parët e Xhemal Hashikxhij janë me origjinë nga qyteti turk Kayseri dhe me gjasë kanë qenë lugëbërës. Njëri nga anëtarët e klanit Hashikxhij pas shkuarjes në Mekë për haxh vendosi të qëndrojë në qytetin e shenjtë mysliman. Nga osmanishtja rrjedh edhe fjala serbe «kašika» (lugë) dhe fjala persiane «kaşik».

Miqësia me Hajdin Sejdinë

Sipas mediave gjermane gjyshi i Ja­mal Khas­hog­git (Xhemal Hashikxhij) ka qenë mjek personal i Abd al-Aziz ibn Saud, themeluesit të Arabisë Saudite. Deri në shpërbërjen definitive të Perandorisë Osmane Arabia Saudite (përfshirë Mekën dhe Medinën) ishin nën sundimin e Stambollit. Pastaj fiset arabo-saudite themeluan shtetin e tyre.

Nga klani Khas­hog­gi më i njohuri është Adnan Khas­hog­gi, i biri i mjekut të mbretit saudit. Adnan Khas­hog­gi njihet si një pasanik i madh, tregtar i armëve me famë të dyshimtë në mbarë botën, qejfli i shfrenuar, aventurier i dhënë pas luksit, grave të bukura, shampanjës, jahteve. Në vitet 90-të njëri nga biznesmenët më kundërthënës të botës shqiptare, Hajdin Sejdia, krenohej me «miqësinë» e tij me Adnan Khas­hog­gi. Si Hajdin Sejdia edhe Adnan Khas­hog­gi në vitet 80-të një pjesë të aktiviteteve të tyre biznesore e kanë zhvilluar edhe në Zvicër, atëbotë një oazë e sigurt për fshehjen (Khashoggi e Sejdia do të thoshin: ruajtjen) e parave në bankat e Zürichut dhe Gjenevës.

Arrestimi në Bernë

Biografia e Adnan Khashoggit mban titullin: «The Richest Man in the World». A ishte më i pasuri apo jo – mbetet mister, por në kulmin e veprimtarisë së tij pasuria e Adnan Khashoggit vlerësohej mes dy dhe katër miliardë dollarë. Kur gruaja e tij e parë Soraya dorëzoi padinë për divorc, ajo kërkoi 2,5 miliardë dollarë. Në fund ajo mori 950 milionë dollarë.

Në vitin 1989 Adnan Khashoggi u arrestua në Bernë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën akuzën se i kishte ndihmuar sundimtarit të Filipineve, Ferdinand Marcos, të fshehë pasurinë e tij në botën e jashtme. Por, pas esktradimit në SHBA Khashoggi u lirua si i pafajshëm nga drejtësia në New York. Dy vite para arrestimit në Bernë, Adnan Khashoggi ia kishte shitur jahtin e tij «Nabila» njëfarë Donald Trumpit. Si sot edhe atëherë Trump ishte lavdëruar për aftësitë e tij prej biznesmeni, duke thënë se ia kishte zbritur çmimin Adnan Khashoggit nga 70 milionë dollarë në 30 milionë dollarë. Khashoggi kishte edhe avionin e tij privat Douglas DC-8.

Thuhet se shumë kontrata të dyshimta për tregti me armë Khashoggi i kishte lidhur në jahtin e tij duke lundruar në ujëra ndërkombëtare, aty ku s’vlenin ligjet e asnjë shteti. Për çdo pazar Khashoggi merrte deri në 15 për qind provizion. Adnan Khashoggi u lind në vitin 1935. Falë lidhjeve të babait të tij me shtëpinë mbretërore saudite, Adnan Khashoggi arriti të shkojë në Shtetet e Bashkuara, ku studioi biznes. Lidhjet me sundimtarët në Riad ia lehtësuan atij edhe tregtinë me armë.

Mjekët zviceranë në jahtin e Khashoggit

Në Zvicër Adnan Khashoggi kishte lidhje mjaft të mira. Sa herë që kishte nevojë për trajtim mjekësor, atij ia dërgonte mjekët në jaht një drejtor i një spitali në Bernë. Për këtë shërbim drejtori mori qindra-mijëra franga honorar. Kur u zbulua, ai u dënua me 3 vjet burg për mashtrim. Avokat i Adnan Khashoggit në Bernë ishte Ralph Zloczower, më vonë kryetar i Federatës së Futbollit të Zvicrës. Ka shumë mite për Adnan Khashoggin, njëri ndër ta është se shpenzimet e tij silleshin rreth 250 mijë dollarë në ditë dhe jahti i tij ishte një lloj vatre e orgjive seksuale! Nip i tij ishte egjiptiani Dodi al-Fayed, i dashuri i fundit i princeshës Diana. Adnan Khashoggi vdiq më 6 qershor 2017 në Londër në moshën 82-vjeçare. Pak më shumë se një vit më vonë në konsullatën e Arabisë Saudite u vra Ja­mal Khas­hog­gi (Xhemal Hashikxhij). Por, vdekja e tij nuk ishte e natyrshme.