KFOR-i interesohet për masat përgatitore për refugjatët eventualë nga Siria

Paqeruajtësit e KFOR-it që veprojnë në Prizren, kanë kërkuar informata nga autoritetet komunale, lidhur me kapacitetet që kanë këta të fundit për përballje me ndonjë fluks eventual të refugjatëve nga Siria dhe nga shtete të tjera.




Në bisedë me zyrtarë të lartë komunalë, ushtarakët kanë shprehur qëndrimin se Komuna e Prizrenit duhet të jetë e përgatitur për reagim adekuat, në rast se përballet me një valë refugjatësh, që e përdorin Ballkanin si transit drejt shteteve të Bashkimit Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Hasan Hasani, drejtor i Shërbimeve Publike, gjatë takimit të fundit të Qeverisë komunale, ka theksuar se përfaqësues të KFOR-it janë interesuar për këtë çështje në mënyrë miqësore. Ai ka shtuar se do të ishte mirë që Ekzekutivi lokal ta shqyrtojë këtë pikë, me qëllim që institucionet të jenë të përgatitura për çfarëdo situate që mund të ndodhë në të ardhmen.
E, drejtori i Emergjencave dhe Sigurisë, Bedrija Ejupagiq, ka theksuar se në rast se do të këtë dyndje refugjatësh, mundësia e vetme është përdorimi i objekteve sportive dhe kulturore për strehimin e përkohshëm të tyre, siç është e domosdoshme edhe sigurimi i ujit të pijshëm dhe i ushqimit.
Nga ana tjetër, paqeruajtës të KFOR-it nuk kanë dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë nëse ka shenja se do të ketë valë refugjatësh edhe në Kosovë, si në vende të tjera të Ballkanit. Zyra e informacionit e KFOR-it, ka bërë të ditur se mandati i këtyre trupave në Kosovë mbetet i pandryshuar.
Gjatë muajve të fundit është shtuar fluksi i refugjatëve nga Siria, Iraku e Afganistani, të cilët, duke synuar azilin në vende të Bashkimit Evropian, po i përdorin vendet e Ballkanit si transit.