Kevini dhe jogurti

Kevin Kühnert quhet ylli më i ri i politikës gjermane. Ai është 28-vjeçar, kryetar i forumit rinor të Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe mund të shkaktojë një krizë politike në mbarë Bashkimin Erupian. Kühnert është kategorisht kundër koalicionit të partisë së tij me konservatorët e kancelares Angela Merkel. Më 4 mars vendosin mbi 400 mijë anëtarë të SPD-së në referendum.

Kevin Kühnert.



Kevin Kühnert është vetëm 28-vjeçar, por nëse projekti i tij ka sukses, atëherë ai mund të pengojë krijimin e qeverisë së re gjermane, të fusë në krizë të thellë Gjermaninë dhe bashkë me të edhe Bashkimin Europian. Kühnert nuk ka aq përvojë në politikë, hapat e parë parlamentarë ai është duke i bërë në një kuvend rajonal diku në Berlin, atje ku nuk flitet për krizat e botës, por për gëlqerosjen e shkollës lokale. Megjithatë, Kevin Kühnert është vënë në krye të një projekti që mund të ketë pasoja për partinë e tij. Kühnert është kryetar i forumit rinor (Juso) të Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe po e mobilizon bazën që më 4 mars të votojë në një referendum të brendshëm partiak kundër aleancës së SPD-së me CDU-në e kancelares Angela Merkel.

Tradicionalisht anëtarët e forumit rinor të SPD-së janë më radikalë se funksionarët me flokë të thinjura ose pa flokë fare. Kështu ka qenë edhe në vitet ’70, kur shef i forumit rinor të SPD-së ishte Gerhard Schröderi, i cili më 1998 u bë kancelar i Gjermanisë në qeverinë e SPD-së me të Gjelbërit e Joschka Fischerit. I pakompromis është edhe Kevin Kühnert. Ai hedh poshtë një koalicion me partinë e Angela Merkelit me argumentin se SPD po tkurret vazhdimisht si parti duke i shërbyer kancelares konservatore. Kështu mendonin edhe krerët e SPD-së pas zgjedhjeve të shtatorit, ku partia pësoi një disfatë historike. Shefi i partisë Martin Schulz tha se SPD do të shkonte në opozitë. Këtë qëndrim ai dhe udhëheqës të tjerë të SPD-së e kanë përsëritur disa herë, por pas dështimit të negtociatave për koalicion mes CDU-së së Merkelit, Liberalëve dhe të Gjelbërve, SPD ka bërë një kthesë për 180 shkallë dhe ka pranuar të bashkëqeverisë me partnerin e deritanishëm – CDU dhe partinë e saj simotër CSU.

Në një reagim në Twitter Kevin Kühnert ka shkruar se është i tronditur nga vendimi i partisë së tij. Ai u ka bërë thirrje anëtarëve të partisë që në referendumin e 4 marsit të hedhin poshtë koalicionin. Që nga fillimi i janarit në SDP janë regjistruar gati 25 mijë anëtarë të rinj. Supozohet se shumica kanë hyrë pas apelit të Kevin Kühnert për të rrëzuar koalicionin e madh. Rezistencën e tij kundër këtij koalicioni Kühnert e kishte paralajmëruar në kongresin e partisë në janar: «Asgjë nuk është romantike në opozitë. Dhe unë nuk kam hyrë në këtë parti për të bërë opozitë. Por as nuk kam hyrë që vazhdimisht ta shohë duke u përplasur për muri. Ne jemi të interesuar që të mbetet diçka nga ky dyqan. Dhe momentalisht nuk po shoh se po ndjekim strategji për të mbetur diçka». Me fjalimin e tij të furishëm Kühnert u bë i njohur në mbarë Gjermaninë. Ideja e tij thellësisht majtiste është kjo: nuk duhet t’u jepet diçka vetëm atyre që kanë pak, por t’u merret edhe atyre që kanë shumë. Për Kühnert konsevatorët i marrin parasysh vetëm interesat e të pasurve dhe nuk investojnë në të ardhmen e të rinjve.

Me retorikën e tij të ashpër Kühnert është bërë popullor edhe në media. Disa prej tyre janë dashakeqëse. Gazeta «Bild» e quajti «vogëlush», një moderatore iu drejtua me Kleinert në vend të Kühnert, (Klein domethënë i vogël), një moderator tjetër e pyeti nëse i pyet prindërit para se të marrë vendime politike. Kühnert nuk bëhet merak kur ballafaqohet me pyetje të tilla. Kur një gazetar e pyeti nëse ende jeton në konvikt, Kühnert u përgjigj përmes Twitterit: «Do të filloj t’u përgjigjem pyetjeve të tilla gjithsesi relevante sapo t’i pyesin Merkelin dhe të tjerët nëse përherë e lëpijnë kapakun kur hanë jogurt».