Këtu të dua

Foto: Shutterstock



Këtu të dua.
Në pishat e errëta shpështillet era.
Vezullon hëna mbi ujërat endacake.
Shkojnë ditët njësoj pas njëra tjetrës.

Shpaloset bora në figura vezulluese.
Një çafkë e argjendtë rrëshqet prej perëndimit.
Herë – herë një velë. Lart, lart yjet.

O kryq i zi i një barke.
Vetëm.
Herë pres të gdhijë, dhe shpirti m’është qull.
Oshëtin, rioshëtin deti tutje.
Ky është një port.
Këtu të dua.

Këtu të dua dhe më kot të fsheh horizonti.
Të dua ende mes këtyre sendesh të ftohtë.
Herës shkojnë puthjet e mia n’ato barka të rënda,
që detet çajnë dhe kurrkund s’mbërrijnë.
Veten shoh t’harruar si spirancë e vjetër.
Më të trishtë janë molot kur në to lidhet.

Më lodhet jeta së koti e uritur.
Dua atë që s’kam. Je ti kaq larg.
Mërzia ime mundet me muzgjet e ngadalshëm.
Por nata vjen dhe fillon më këndon.
Hëna nis e kurdis ëndrrën.
Me sytë e tu më këqyrin më të mëdhenjtë yje.
Dhe siç të dua ty, pishat në erë,
duan të këndojnë emrin tënd me ato gjethe si tela.

Përktheu: Maksim Rakipaj