«Këtu pinë të gjithë: turqit, bujkrobërit, ortodoksët, katolikët, por edhe krerët fetarë të të tri feve»

Kështu shkruante nga Bosnjë-Hercegovina në vitin 1873 prifti austriak Franz Pranner, i tmerruar nga konsumimi i rakisë nga priftërinjtë, popët, imamët, sundimtarët turq dhe bujkrobërit lokalë.




Në vitin 1869 në një fshat afër Banjallukës në Bosnjë-Hercegovinën e atëhershme prifti austriak Franz Pranner themeloi manastirin «Marija Zvijezda». Manastiri do të shërbente si vend ku do të grumbulloheshin katolikët e zonës. Duke jetuar mes kroatëve katolikë, serbëve ortodoksë dhe sllavëve myslimanë, Pranner vërejti shumë tradita, doke e vese lokale. Një nga këto vese ishte konsumimi i rakisë në Bosnjë. Në vitin 1873 Pranner i dërgonte një letër një dinjitari të kishës, ku përshkruante ndikimin e kobshëm të rakisë së kumbullës në jetën e përditshme të boshnjakëve të krishterë dhe myslimanë.

Në vazhdim po sjellim pjesën më kritike të letrës: «Kur në pranverën e vitit 1869 arrita në këto vise, më ra në sy diçka që askund dhe kurrë nuk e kisha parë. Këtu, në të vërtetë, krejt pinë, gjë që është shprehja më e butë për dëfrim me raki, gjë që pasqyrohet në mbushjen e vetes gjatë tërë ditës me atë eliksir të mallkuar. Pinë turqit, pinë bujkrobërit, pinë katolikët dhe ortodoksët me babëzi të njëjtë, kam parë edhe krerë fetarë (të të tri feve – zoti i faltë!), të cilëve nuk u vjen gërdi nga ky pleh. Nga rakia fytyrat e të gjithëve kanë marrë ngjyrën e dheut, sytë mezi u shihen nën kapakët e ënjtur, dhe gati nuk mund të takosh njeri që ecën drejt, pa zënë në thua. Turqit – bejlerët deri diku (ata në të vërtetë nuk ecin, por kalërojnë), por edhe argatët mund te punojnë më së shumti një ose dy orë, pastaj rrëzohen dhe bien në gropë (nëse arrijnë ta hapin).

Ose pasi i bien me kokë lisave që e kishin ndërmend t’i prisnin, thjesht vdesin nga rakia.

Ky është hall i madh, sepse kumbullat këtu rriten vetëm që prej tyre të distilohet rakia. Sikur ta bënin këtë siç bëhet gjetiu në botë. Këtu janë në gjendje që prej dhjetë kilogramëve të pemëve të fermentuara të nxjerrin njëzet litra helm, të cilin njeri i gjallë në këtë botë nuk do ta shtinte në gojë. Këta, ndërkaq, e pinë në vend të ujit, sepse thonë – prej ujit sëmuren veshkat, bien dhëmbët dhe dhëmbin eshtrat». (-lli)