Këtu mbretëron një atmosferë e veçantë, një cilësi tjetër e dritës, një ndjenjë tjetër e jetës

Me trenin e hekurudhës Retiane nga Chur në Engadin.

Viadukti Landwasser.



U largova nga tema. Por tani ju ndodheni pranë meje dhe do të udhëtojmë nga Chur në Engadin. Për këtë duhet të marrim në Chur trenin e hekurudhës Retiane (Rhätische Bahn). Sa i përket zgjidhjeve të konstruksionit dhe harmonisë mes natyrës dhe intervenimit ndërtimor kjo linjë hekurudhore paraqet një shembull të jashtëzakonshëm. Këtu nga ura në urë përjeton sfidat nga natyra dhe përgjigjet, të cilat i ka dhënë njeriu duke nxjerrë dobitë nga rrethanat. Zbulon se në çfarë loje me forma veprojnë bashkë dhe kundër njëra-tjetrës peizazhi, hekurudha dhe rruga, duke u ngjitur përjeton të gjitha trajtat që mund të merren me mend të shmangies dhe lëvizjes me vrull, kalimit mbi ura dhe tuneleve të papritura, të lëvizjes këmbëngulëse dhe mënjanimit lozonjar. Si përjetim thelbësor mbetet përshtypja e një pajtimi fatlumë mes natyrës dhe njeriut. Pushteti i natyrës as nuk mposhtet, as nuk mohohet, aq më pak synimi i njeriut që kësaj natyre t’ia shkëpus qëllimet e saj dhe interesat. Përafrimi i suksesshëm me të egrën dhe frenimi i saj më anë të vizioneve të guximshme teknike karakterizojnë këtu në mënyrë të pashlyeshme perceptimin tonë. Kush zhbiron të veçantën e peizazhit, vështron njëkohësisht procesin që s’mund të përsoset dhe gjatë së cilit natyra dhe njeriu si në një akt drejtpeshimi përpiqen t’i harmonizojnë forcat e tyre.

Viadukti Landwasser

Në mesin e të gjitha urave, viadukteve, galerive, tuneleve me kthesa dhe mureve mbrojtëse të kësaj vije hekurudhore me shumë pengesa shquhet një emblemë, e cila falë madhësisë, elegancës dhe guximit me meritë është avancuar në ndërtimin më së shumti të fotografuar në kantonin Graubünden: viadukti Landwasser. Pasi treni të ketë kaluar Suravan dhe duke u ngjitur me vrull nëpër luginë dhe terren shkëmbor i afrohet Filisurit, fillon lëvizja në vagonë. Me kohë duhet të kaloni në anën e djathtë për të zaptuar një vend të mirë në dritare për spektaklin që ju pret. Tashmë në drejtim të ecjes së trenit shihni kolonat dhe harqet, të cilat çojnë te një mur vertikal prej shkëmbi. Në të vërtetë këto zhduken sërish, por sapo treni të fillojë të bëjë lak në një kthesë të gjerë në të djathtë, befas e keni para syve mrekullinë. Prej gjashtë harqeve ju në fakt nuk i shihni të gjitha përnjëherë, por nëse njëherë gjendeni mbi viadukt dhe hidhni shikimin në thellësi, edhe njerëzve të cilëve nuk u merren mendtë tmerrohen nga kuturia që këtu kanë treguar konstruktorët. Në marramendje e sipër mbi këtë guxim aq të madh dhe këmbëngulje të vendosur që në tunel do të kujtoni se çfarë kuptimi kishte më 1898 të vendosej një konstruksion aq mahnitës në këtë peizazh të egër grykor.

Kush është rritur në alpe si unë nuk harron se çdo përpjekje për të depërtuar në terrene për qëllimet e njeriut ishte e ndërlidhur me risk, rreziqe dhe sakrifica. Kanë qenë të nevojshme masat e shumëllojshme të sigurisë për t’u kujdesuar përballë huqeve të paparashikueshme të natyrës. Historia e kësaj linje hekurudhore është gjithashtu një histori e masave mbrojtëse ndaj vërshimeve, rrëshqitjeve të gurëve dhe dheut, rrokullisjes së ortekëve dhe fenomeneve të tjera të papritura të natyrës, të cilat nga një çast në tjetrin peizazhin e bukur mund ta shndërrojnë në ferr. Që nga fillimi siguria duhet të gëzojë prioritet të plotë. Sot mundësitë teknike për sigurimin dhe kontrollin e vijës hekurudhore gjatë tërë vitit janë përsosur jashtëzakonisht. Por sa shpesh janë rrëqethur përgjegjësit kur kanë mbetur të bllokuar në furtunën dimërore. Një grimë rrezik mbetet deri më sot – si këtu ashtu edhe gjetiu. Këtë e ndiejnë pasagjerët në mënyrë instinktive gjatë udhëtimit mbi viadukte dhe ura, kur shikimi i tyre kalon për një çast nëpër humnerat e frikshme të një gryke.

Tek pasi treni të braktisë tunelin e gjatë të Albulas, të vazhdojë përgjatë përroit malor në drejtim të Beverit dhe atje të lakojë në një kthesë në të djathtë në një luginë të gjatë, e cila i përket njërës prej zonave më mbresëlënëse të alpeve dhe të cilën e quajmë Engadin, ne ndiejmë: këtu edhe pse je në luginë prapë gjendesh në lartësi. Natyrisht kjo luginë sërish është e rrethuar me kodra të larta dhe maja të bardha, por këtë pa merak mund t’ua lëmë atyre që duan të ngjiten fare lart. Këtu sall rrafshina e hapur pa u kursyer, nëpër të cilën kalon lumi Inn, mundëson perceptimin e shtuar të realitetit. Mbretëron një atmosferë e veçantë, një cilësi tjetër e dritës, një ndjenjë tjetër e jetës. Athua përse? 

Përktheu: E. Robelli 

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).