Këto janë kompanitë më të sigurta ajrore

Një studim i ri tregon se kompanitë aziatike dhe arabe kanë marrë nota të mira sa i përket sigurisë gjatë fluturimit. Kompania zvicerane «Swiss», e cila fluturon edhe në Prishtinë, gjendet nga mesi i tabelës.

Një Boeing 777 i Cathay Pacific duke aterruar në Frankfurt. Foto: Shutterstock



Keni dëgjuar për kompaninë ajrore Garuda Air nga Indonezia? Për kompaninë kolumbiane Avianca? Ose për China Airlines nga Tajvani? Këto tri shoqëri ajrore zënë vendet e fundit në një studim të ri mbi sigurinë gjatë fluturimit. Kompanitë më të sigurta ajrore edhe vitin e kaluar vinin nga vendet aziatike dhe arabe. Në këtë përfundim ka arritur një studim i firmës «Jet Airliner Crash Data Evaluation Centre» (JACDEC) me seli në Hamburg.

Kompania më e sigurt në botë është Cathay Pacific nga Hongkongu, në vendin e dytë renditet Air New Zealand, Hainan Airlines (3) dhe Qatar Airways (4). Kompania më e sigurt ajrore e Europës është KLM nga Holanda. Pas KLM pasojnë Eva Air nga Tajvani (6), Emirates nga Emiratet e Bashkuara Arabe (7), Etihad Airways (8), Qantas nga Australia (9) dhe kompanitë japoneze Japan Airlines (10) dhe All Nippon Airways (11).

Nga mesi i tabelës gjenden këto kompani: EasyJet (28) dhe Ryanair (34). Në vendin 33 gjendet kompania zvicerane Swiss, e cila fluturon edhe në Prishtinë – ashtu si edhe EasyJet, që hyn në mesin e kompanive me çmime të lira. Sipas studimit viti 2016 ishte ndër vitet më të sigurta në historinë e fluturimeve civile. (-lli)

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.