Këtë muaj nis rigjykimi i rastit «Unaza» për krim të organizuar dhe trafikim me gra

Njëzetekatër të akuzuarit për krim të organizuar lidhur me trafikimin e 22 shtetaseve moldave do të rikthehen në bankën e të akuzuarve.




Apeli ka rrëzuar vendimin e parë të kësaj gjykate ndaj tyre, që e kishte eliminuar veprën e krimit të organizuar. Ndër të akuzuarit ka edhe zyrtarë të Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.

Remzi Thaçi, Hajdar Thaçi, Mentor Nikaj, Bibë Doqaj, Asllan Uka, Albert Berisha, Enis Thaçi, Zenel Rudi, Lulzim Thaçi, Kujtim Dula, Dëfrim Rifaj, Liridon Dula, Lekë Dushaj, Pashk Laki, Pjetër Kola, Fisnik Qyska, Adem Kçiku, Arsim Halimi, Faton Berisha, Maxhun Bajramaj, Bekim Tafaj, Afrim Latifaj, Arton Shehaj dhe Sadik Koci, pritet të paraqiten më 27 tetor sërish në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Ata do të rigjykohen për krim të organizuar dhe trafikim, meqë Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë të marrë në prill të vitit të kaluar ndaj tyre. Apeli ka aprovuar pjesërisht ankesën e prokurorit special dhe mbrojtësve të të akuzuarve.

Prokuroria insiston se ka pasur krim të organizuar, përderisa avokatët mbrojtës në emër të klientëve të tyre të akuzuar për krim të organizuar dhe trafikim të shtetaseve moldave kërkuan lirim të tyre në emër të pafajësisë.