Këtë libër nuk e kam lexuar kurrë!

Njeriu gjatë jetës së tij nuk mund të lexojë më shumë se 5 mijë libra. Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» ka pyetur shkrimtarë, përkthyes dhe botues të njohur mbi librat që nuk i kanë lexuar. Rezultati? Disa përgjigje të sinqerta dhe të dhimbshme.

Foto: Shutterstock



Eksperti gjerman i letërsisë Rainer Schmitz ka bërë një përllogaritje, sipas të cilës njeriu gjatë jetës së tij nuk mund të lexojë më shumë se 5 mijë libra. Vetëm gjatë vitit të kaluar në tregun gjerman janë botuar 72’820 libra. Për t’i lexuar të gjitha këto libra njeriu duhet të jetojë disa qindra vjet. Meqë kjo s’është e mundshme për arsye që dihen, lexuesi duhet të bëjë një përzgjedhje. Lexuesit shqiptarë zakonisht lavdërohen se e kanë lexuar këtë apo atë libër të Ismail Kadaresë. Me gjasë të paktë janë ata që vërtet i kanë lexuar të gjitha romanet e mëdha të këtij shkrimtari. Shumë thonë se e kanë lexuar Gjergj Fishtën, por të paktë janë ata që vërtet kanë marrë mundin t’i shkojnë në fund kryeveprave të tij. Tepër voluminoze, tepër refuzuese për shkak të gegnishtes – pak a shumë këto janë arsyetimet. Si ngushëllim mund të përmendim faktin se më shumë gjermanë thonë se e kanë lexuar «Faustin» e Goethes se që e kanë lexuar me të vërtetë.

Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» ka pyetur shkrimtarë, përkthyes dhe botues të njohur mbi librat që nuk i kanë lexuar. Rezultati? Disa përgjigje të sinqerta. Arno Geiger, shkrimtar i njohur, pranon se nuk e ka lexuar librin «Min Kamp» të autorit norvegjez Karl Ove Knausgård. Geiger thotë se nuk e kanë entuziazmuar argumentet e atyre që e kanë lavdëruar librin. «Karl Ove Knausgård pi çaj, pastaj shkon nga njëra dhomë në tjetrën, dhe unë jam pjesë e kësaj. E tëra në 700, 800 faqe». Andreas Altmann, shkrimtar, thotë se nuk e ka lexuar romanin «Lufta dhe paqja» të Leo Tolstoit. Ai ka këtë shpjegim: «Para shumë kohësh kam menduar se isha tepër i ri për ta lexuar, dhe prej kohësh mendoj, uh, tani është vonë. Pastaj një ditë më doli në ndihmë Woody Alleni, i cili në pyetjen <Na thuaj Woody, për çka bëhet fjalë te <Lufta dhe paqja>>, u përgjigj: <Për çka tjetër përveç se për luftën dhe paqen>. Që nga atëherë jam i informuar». Në pyetjen nëse ka gjasa që ta lexojë këtë vepër, Altmann u përgjigj: «Mirë, meqë po insistoni, rrjedhimisht dua të betohem e të premtoj para opinionit botëror: njet, deri në frymën e fundit nuk do ta lexoj».

Shkrimtarja dhe kritikja letrare Elke Heidenreich, e cila ka moderuar emisione televizive mbi librat, tregoi se kurrë nuk e ka lexuar «Në kërkim të kohës së humbur» të Marcel Proustit. «Jam përpjekur shpesh dhe vazhdimisht kam dështuar». Heidenreich thotë se për të është e padurueshme plogështia e romanit, gjithë ato gjëra të imëta që konsiderohen të rëndësishme nga autori. Në vend të Proustit ajo propozon të lexohet Nabokovi, libri: «Kujtesë, fol».

Shkrimtarja dhe përkthyesja hungareze Térezia Mora tregon se nuk ka pasur fuqi ta lexojë romanin «Xhepzbrazurit» të autorit hungarez Szilárd Borbély. «Kam dështuar, sepse që faqet e para qenë aq të dhimbshme, andaj menjëherë e kam pasur të qartë se çka shkruan aty është aq e vërtetë, saqë po ta lexoja <zor se do ta mbijetoja>. Me këtë arsyetim edhe kam refuzuar ta përkthejë. Çfarë ndodhi? Pak javë më vonë autori bëri vetëvrasje. Ai në të vërtetë e mbaroi librin, por nuk e mbijetoi. Isha e tronditur kur dëgjova dhe u turpërova». Mora thotë se shpreson se një ditë të ketë forcën e duhur për ta lexuar këtë libër. Olga Grjasnova, shkrimtare e lindur në Azerbajxhan, ka pranuar se nuk e ka lexuar «Krim dhe ndëshkim» të Dostojevskit, sepse «libri ka diçka që më refuzon».

Michael Krüger, njëri prej botuesve më të njohur gjerman, thotë se e ka kaluar nëpër duar së paku 100 herë veprën «Arkipelagu Gulag» të Aleksandër Solzhenicinit, këtë panoramë monumentale të kampeve sovjetike. «Duhet të lexohet për ta kuptuar shekullin e XX. Megjithatë, është pak e besueshme se do ta lexoj ndonjëherë». Si arsye Krüger ka përmendur se po e presin edhe 400 libra, te cilat duan të lexohen. «Elias Canetti ka shkruar diku se njeriu duhet të jetojë aq sa t’i lexojë të gjitha librat që ka dashur t’i lexojë».
E.R.