Kështu i pashë shqiptarët, kështu i respektova, kështu i qortova…

Robert Elsie mbi shqiptarët: citate të zgjedhura.

Kryengritës dhe civilë shqiptarë në vitin 1905. Foto: Franz Baron Nopcsa



Mbi Johann Georg von Hahn
«Von Hahn ishte figurë e madhe në etnologjinë shqiptare. Ishte babai i etnologjisë, i pari austriak që u interesua për kulturën shqiptare në përgjithësi. Ka një fjalor të shqipes dhe u interesua edhe për përrallat shqiptare. E kam botuar këtë në librin “Zbulimi i Shqipërisë”, sepse ishte i pari që e zbuloi atë në botën e jashtme. Mua më intrigon mënyra e saktë sesi të huajt e kanë studiuar Shqipërinë. Disa e admirojnë dhe e kanë kuptuar rëndësinë e kulturës së saj, por ka dhe disa që tmerrohen sesi mund të jetohet në ato male të ashpra shqiptare. Megjithatë ka shumë autorë, figura të mëdha që shkruajnë për Shqipërinë». [Shqiptarja]

Mbi marrëdhëniet mes Gjermanisë perëndimore dhe Shqipërisë
«Unë pata fat të merrja pjesë drejtpërdrejt në procesin e afrimit të të dy shteteve. Në vitet ‘80 punoja për Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme, atëherë në Bon, si përkthyes, kryesisht për anglishten. Më 26-27 prill 1984 na erdhi një delegacion nga Shqipëria për të trajtuar çështjen e fillimit të bisedimeve për marrëdhëniet diplomatike. Në Ministri ende nuk kishte një përkthyes të kualifikuar për shqipen dhe i vetmi njeri që dinte dy fjalë shqip isha unë. Prandaj u caktova përkthyes për bisedimet. Të them të drejtën, kisha shumë merak dhe stres sepse nuk kuptoja mirë shqipen dhe edhe sot nuk di se si arrita të kryeja funksionin tim të ndërmjetësimit». [Deutsche Welle]

Mbi lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes Bonnit dhe Tiranës
«Më 1 tetor 1987 u lidhën marrëdhënie diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dhe tri jave më vonë, më 23 tetor 1987, erdhi Ministri i Punëve të Jashtme, Hans-Dietrich Genscher, në Tiranë për një vizite zyrtare gjashtëorëshe. Që në janar 1988 erdhi ambasadori i parë gjerman (perëndimor), Dr. Friedrich Kroneck, në Tiranë, kur selia e ambasadës gjermane ishte ende në Hotel Dajti. Me në fund, në qershor 1990 u hap ndërtesa e re e ambasadës gjermane në Rrugën e Skënderbeut. Një muaj më vonë, kjo ndërtesë u demolua nga që mësynë rreth 3000 shqiptarë të cilët kërkuan strehim politik në atë kohë aty, dhe ambasada u mbyll prapë.» [Deutsche Welle]

Mbi murtajën e korrupsionit
«Unë mendoj se ka disa gjëra të kontinuitetit që nuk kanë ndryshuar, që janë të çuditshme jo vetëm nga koha e Hoxhës por edhe nga koha e Zogut, gjëra që vijnë nga koha Osmane, ajo e Zogut, e Hoxhës e deri te e sotshmja. Një nga këto gjëra është korrupsioni burokratik. Kjo është një nga gjërat që gjithmonë ka qenë kështu. Tjetra është paaftësia administrative e vendit. Nuk është diçka që varet vetëm nga partia, është më tepër qëndrimi i popullit. Pra, që të marrësh diçka që do, duhet të njohësh dikë në Ministri, të pish kafe me të, pastaj të pish prapë kafe javën tjetër me të, edhe një herë të tretë, e më pas ai të lidh më personin që ty të intereson. Domethënë është njësoj si në kohën osmane, nuk është si një shtet normal».
[Emisioni Shqip]

Për Migjenin
«Migjeni është një poet që më ka tronditur. Kur kemi parasysh traditat e letërsisë së Rilindjes me një frymëzim kombëtar, atdhetar, fjalë herë bajate të lavdërimeve kombëtare, Migjeni vjen dhe tregon realitetin e vendit. Ai tregon vuajtjen, varfërinë, urinë, keqtrajtimin e njerëzve, pra realitetin e këtij vendi dhe ky vend është një vend me vuajtje».
[Emisioni Shqip]

«Është një vend pak i egër»
«Unë nuk mund të jetoj këtu. Është një vend pak i egër për mua, marrëdhëniet midis njerëzve janë pak të egër. E di që është vetëm një fasadë dhe se brenda e kanë shpirtin e mirë por kanë një egërsi në marrëdhëniet njerëzore. Ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem. Unë vij këtu me shumë kënaqësi por nuk besoj se mund ta përballoj të vij të jetoj përgjithmonë këtu. Ka shumë frustracion të jetës së përditshme. Jeta është shumë e shkurtër e unë nuk kam kohë të përplasem në pengesa, vetëm për të arritur diçka, kur në një vend tjetër e arrij menjëherë dhe pastaj jetoj jetën time. E di që ju kaloni shumë kohë në ditën tuaj me pengesat që ju dalin përpara dhe kjo ha shumë kohë. Për shembull, po të jetoja këtu do të kaloja sigurisht gjithë ditën duke pirë kafe sepse do të më lajmëronin njerëzit hajde të pimë kafe dhe nga një kafe gjysmë ore, ajo do të shkonte një orë, dy orë, tre orë, katër orë dhe gjithë dita do të shkonte në kafe. Kurse unë jetoj një jetë pak të veçuar dhe nuk kam shumë shoqëri. Kjo është preferenca ime, unë jetoj me librat e mi, me idetë, projektet e mia dhe kënaqem me to».
[Emisioni Shqip]

«Habitem si ky vend ka mbijetuar si shtet»
«Për të ndryshuar ka mijëra gjëra në këtë vend, pothuajse çdo gjë. Unë them se Shqipëria 100 vjet është një kohë e gjatë dhe me thënë të drejtën habitem si ky vend ka mbijetuar si shtet. Ishte një shtet kaq i brishtë jo vetëm në fillim, në kohën e Ismail Qemalit, por pastaj erdhi Lufta e parë, u rrëzua shteti, u rikrijua prapë me Kongresin e Lushnjes, erdhi diktatura e Ahmet Zogut. Nuk ishte një shtet normal. U bë ngadalë ngadalë një shtet në vitet ’30. Pastaj erdhën italianët, u rrëzua. Pastaj erdhën komunistët. Erdhi pastaj demokracia por me një kaos politik e një egërsi që e pengonte zhvillimin, dhe Shqipëria zhvillohet shumë me hap të ngadalshëm por gjithsesi zhvillohet dhe besoj do të vazhdojë të zhvillohet. Por gjithsesi habitem si ka mbijetuar si shtet».
[Emisioni Shqip]

Mbi identitetin kosovar dhe shqiptar
«Unë besoj që ka, qartë, një identitet kosovar. Dhe identiteti kosovar nuk është në kundërshtim me identitetin shqiptar. Është pjesë e identitetit shqiptar. Nuk besoj se kombi shqiptar rrezikohet që të ketë disa identitete, dhe ka në fakt identitete të shumta. Nuk ka NJË identitet shqiptar. Nuk ka pasur kurrë NJË identitet shqiptar. Çdo shqiptar ka një identitet lokal (qyteti i tij), ka një identitet profesional, ka një identitet fetar, ka një identitet kombëtar, por e koncepton ndryshe. Nuk ka NJË identitet kosovar dhe kurrë nuk ka pasur. Por, në fund të fundit, është puna e kosovarëve të vendosin vetë se si është identiteti i tyre. Nuk ju them unë se çfarë është identiteti juaj. Ju do të më thoni mua si e konceptoni veten, apo jo? Se si është identiteti kosovar, më thoni ju mua.»
[Koha Ditore]

«Mirëdita, si jeni?»
«Gjuha shqipe nuk është një gjuhë e lehtë për t’u mësuar, por edhe izolimi i Shqipërisë. Shqipëria ka qenë e izoluar për 50 vjet. Asnjeri nuk hynte, asnjeri nuk dilte. Nuk kishte kontakte, përveç disa kontakteve politike të karakterit komunist. Por normalisht, asnjeri nuk mund të hynte dhe ato pak grupe që hynin ruheshin, vëzhgoheshin. Atë pak shqip që dija, në fillim nuk mund ta praktikoja këtu. Po të thoshe në rrugën kryesore: “Mirëdita, si jeni?” njerëzit qeshnin dhe iknin me vrap, sepse e dinin me siguri që do ta kalonin natën me Sigurimin. Isha për herë të parë në Shqipëri në vitin 1978 dhe pata fat që erdha. Isha student në Gjermani dhe pedagogu im kishte lidhje me Akademinë e Shkencave në Shqipëri. Për habinë tonë morëm një ftesë, jo vetëm për profesorin por edhe për të gjithë grupin dhe erdhëm një grup studentësh, afërsisht 20 studentë. Ishte gjë e madhe».[Metropol]

Mbi këngën epike
«Bota shkencore u habit jashtë mase në vitet ‘30 kur u zbulua që kishte ende këngëtarë epikë të gjallë në Europë në traditën e këngëtarëve homerike të Greqisë së lashtë. Ishin shkencëtarët nga Universiteti i Harvardit, Milman Parry dhe Albert Lord, të cilët udhëtuan për në Ballkan në vitin 1934-1935 në kërkim të këngës epike, duke marrë me vete një aparat invizimi. Ata brodhën Bosnjën, Sanxhakun, Malin e Zi, Hercegovinën dhe vise të tjera dhe hasën në kafenetë ballkanase lahutarë të cilët dinin të këndonin për Mujin dhe Halilin për orë të tëra pa tekst të shkruar. Profesor Parry, një ekspert për Homer, donte të dinte se si këngëtari arrinte të këndonte një këngë të gjatë pa e ditur tekstin përmendsh paraprakisht. Në bazë të punës shkencore mbi Homerin dhe të udhëtimit në Jugosllavi, ai përkufizoi teorinë e tij të ‘formulave të përsëritura,’ e cila shkaktoi një revolucion të vogël në hulumtimin e letërsisë gojore të këtij tipi. Tepër interesant për mua dhe me siguri për shqiptarët është fakti se katër nga pësë këngëtarët që dolën në botimin e tyre e famshme: Serbocroatian Heroic Songs (Kembrixh & Beograd 1954,1955), ishin shqiptarë: Sali Uglanini, Xhemal Zogiq, Sulejman Makiq dhe Ali Fulanini. Këta pleq këndonin edhe boshnjake edhe shqip. Për atë, në zonën dygjuhësore të Novi Pazarit, ishte njësoj. Shkencëtarët e Harvardit, Parry dhe Lord, kishin mësuar pak serbokroatisht për ekspeditën e tyre, por nuk dinin shqip, prandaj ata u përqendruan mbi materialin në gjuhën serbokroate. Për këtë arsye, rrëfimi mahnitës për zbulimin e këngës epike në Evropë lidhet vetëm me Jugosllavinë. Mirëpo, kënga epike e këtij tipi, siç e dimë, ekzistonte edhe shqip. Vetë Parry dhe Lord kishin shënuar dhe incizuar këngë shqip, dhe këto shënime dhe incizime ruhen akoma në Harvard. Që prej punës së Lord-it, shumë pak njerëz jashtë Ballkanit kanë treguar një interes për këngët epike shqiptare – kuptohet, askush nuk dinte shqip -, kurse në Ballkan, puna e madhe e ndërmarrë nga shkencëtarët shqiptarë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe nga Instituti Albanologjik në Prishtinë që nga vitet ‘60 për mbledhjen dhe për incizimin e materialit, me pak përjashtime, nuk ka kapërcyer kufirin gjuhësor, pra u botua vetëm në gjuhën shqipe. Kështu, motërzimi shqiptar i këngëve të kreshnikëve ka mbetur i panjohur në botë e jashtme deri me sot. Duhet të theksohet se, tani, kënga epike sllave, si traditë e gjallë, është zhdukur, kurse kënga epike shqiptare ende jeton. Këngëtarët epikë të fundit në Evropë janë pikërisht lahutarët shqiptarë, brezi i fundit i tyre! Kjo, në pak fjalë, ishte pikënisja e punës sime. Natyrisht libri im, Songs of the Frontier Warriors, botuar shqip dhe anglisht në ShBA në 2004, është vetëm një hap i vogël, por shpresoj se do të ketë ndikim. Nëse vëllimi jep ndihmesë për të zgjuar interesime për këtë fushë ose për kulturën shqiptare në përgjithësi, atëherë mund të thuhet se synimi kryesor është arritur».
[Koha Ditore]

Mbi albanologjinë
«Albanologjia, si çdo shkencë tjetër, duhet të financohet. Dihet se strukturat e albanologjisë u ndërtuan para disa dhjetvjeçarëve në kushtet e diktaturës komuniste. Pas rrëzimit të diktaturës u zhdukën menjëherë edhe fondet shtetërore për të mbajtur gjallë institucionet dhe shkencëtarët. Kështu, në Shqipëri, shkencëtarët e moshuar dolën në pension dhe në varfëri të skajshme, kurse shkencëtarët e rinj u paraqitën për punë në sheshet e ndërtimit të Greqisë. Në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, është shumë më e levërdishme të punosh rojë apo shofer për UNMIK-un se sa të kryesh një punë shkencore albanologjike. Kuptohet se, në kushtet e tilla, është e vështirë të tërheqim studentë dhe kuadro të reja për një fushë që financohet shumë keq nga shteti. Që të punosh albanolog, duhet të jesh pak idealist. Megjithatë, për fat, ka ende disa njerëz të tillë. Si të hapet dritarja? Ajo hapet pikerisht si çdo dritare tjetër në Ballkan – me para. Duhet më shumë fonde për arsimim, për të mbajtur gjallë dhe – e këtë e nënvizoj – sipas mundësive për të përmirësuar institucionet ekzistuese. Të ju them të drejtën, kur hyj unë në Institutin Albanologjik në Prishtinë, mbushem zakonisht me një ndjenje ankthi apo trishtimi. Duket një ndërtesë pa jetë, dhe jo një qendër intelektuale e rëndësishme e popullit shqiptar. Dhe, para disa viteve, kur hyra për herën e fundit në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë, kisha merak para së gjithash që ndërtesa të mos më shembej mbi kokë.»
[Koha Ditore]

Për Franz Baron Nopcsa
«Nga biografia e Nopçës, e shkruar nga Gert Robel, Franz Baron Nopcsa und Albanien: ein Beitrag zu Nopcsas Biographie (Franc Baron Nopça dhe Shqipëria: një ndihmesë biografisë së Nopçës, Wiesbaden 1966), dija se Nopça kishte vrarë vetën në Vjenë më 1933 dhe që, para vdekjes së tij, e kishte caktuar që dorëshkrimi i kujtimeve të tij ti lihet trashëgim Profesorit Norbert Jokl. Gjatë një udhëtimi në Vjenë, arrita të gjej dhe të siguroj kujtimet në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Austrisë. Ishte për mua një gëzim i madh kur, me në fund, e kisha në dorë dorëshkrimin e kujtimeve të baronit të famshëm, më shumë se 500 faqe të shkruara prej dorës së tij në një gjermanisht të vjetëruar të perandorisë austrohungareze. (…)

Në lidhje me Shqipërinë, Nopça ka qenë i njohur kryesisht si etnolog, por ishte edhe një gjeolog, gjeograf dhe paleontolog me famë. Kujtimet e tij, të cilat mbulojnë periudhën nga 1897 deri më 1917, na prezentojnë Nopçën deri diku edhe si historian i kohës së tij. Para Luftës së Parë Botërore ai kishte blerë një shtëpi në Shkodër ku jetonte, pranë maleve dhe malësorëve të Veriut që i donte aq shumë. Nopça ishte ndër të huajt e parë që kanë depërtuar Malet e Veriut (dhe që i kanë mbijetuar udhëtimit). Ai u shqua gjithashtu si figurë publike dhe politike e kohës së tij. Ai dinte me siguri më shumë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e Veriut se çdo austrohungarez tjetër.
(…)
Nuk them se Nopça ishte një militant, por, duke qenë i informuar mirë për Shqipërinë, ka mundur të mbrojë interesat e saj në Vjenë. Herë ishte i respektuar aty si ekspert, herë ishte i mënjanuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, punë intrigash. Si kandidat për postin e mbretit të Shqipërisë nuk besoj se ai ka qenë i rëndësishëm. Kishte mbështetjen e shqiptarëve të Veriut, por – që eshtë më thelbesore -, nuk kishte mbështetjen e Austrisë, apo të Fuqive të Mëdha. Pas pavarësisë së Shqipërisë, Nopça u tërhoq nga politika, siç thekson, nga inati për faktin se Ismail Qemali, të cilin ai e trajton si tradhtar, i kishte dorëzuar Çamërinë dhe Janinën grekëve. Gjatë Luftës se Parë Botërore ka qenë prapë në Shqipëri, ku organizoi një njësi vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Austro-Hungarisë, por, siç dihet, Austro-Hungaria humbi luftën, dhe Nopça u kthye në Vjenë».
[Shekulli]

Mbi jetën private të Nopcsa
«Nuk them se Baron Nopça ishte një bohem. Përkundrazi, nga kujtimet e tij ai del si aristokrat konservator dhe një njëri tepër i rreptë dhe i përmbajtur, të paktën në dukje. Për jetën e tij personale flet pak, gjë e kuptueshme për kohën e tij. Për sekretarin dhe dashnorin e tij shqiptar ai thotë: <Më 20 nëntor (1906) jam njohur në Bukuresht me Bajazid Elmaz (Doda). Që prej asaj kohe, Bajazidi ka qenë me mua dhe, pas vdekjes së Lui Drashkoviqit, ai ka qenë i vetmi njeri në botë, të cilën kam dashur vërtetë dhe ndaj të cilit prandaj kam patur një besim të plotë, pa menduar kurrë se ai mund të shfrytëzonte mirëbesimin tim. Ai ka patur edhe huqet e tij, por e kam pranuar siç ishte. Serbët, nga inati për çdo gjë austrohungareze dhe nga inati për mua, duke ditur se unë merrem në mënyrë të veçantë me Shqipërinë, i kanë vrarë babain dhe vëllaun e Bajazidit në Stirovicë më 1913. Në fund të nëntorit, dhjetor dhe në janar 1907 kam qenë me Bajazid në Saçal (vila e baronit në Transilvani) dhe në shkurt kam qenë me atë në Londër…> Nëse dashuria e tij për sekretarin ka qenë pasoja e dashurisë së tij për Shqipërinë, ose dashuria e tij për Shqipërinë ka qenë pasoja e dashurisë së tij për Bajazidin nuk mund të them, por ka shumë raste të ngjashme të aristokratëve dhe të albanologëve të huaj që kanë pasur marrëdhënie intime apo të ngushta më shqiptarë vendas dhe që me siguri u frymëzuan nga këto lidhje. Baronesha gjermane Mari Ameli fon Godin (Marie Amelie von Godin, 1882-1950), e cila kishte shkruar romane aventureske për Shqipërinë dhe kishte përkthyer Kanunin gjermanisht, ishte mike intime afatgjate e aristokratit shqiptar Ekrem bej Vlora (1885-1964). Ata nuk kanë mundur të martoheshin vetëm sepse ajo ishte katolike, kurse ai mysliman. Obri Herbert (Aubrey Herbert, 1880-1923), diplomati dhe shkrimtari aristokrat anglez, i cili, bashkë me Edit Durham-in, kishte themeluar Shoqatën Anglo-Shqiptare në Londër për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, u frymëzua, si Nopça, nga një dragoman shqiptar, Qazim Kokeli. Margaret Hasluk (Margaret Hasluck, 1885-1948), antropologe skoceze, e cila kishte jetuar 13 vjet në Elbasan, ishte mike e ngushtë dhe, sipas thashethemeve, dashnore e dijetarit elbasanas Lef Nosi (1873-1946). Pa përmendur rastin e jetës skandaloze të Lord Baironit (Lord Byron, 1788-1824), për të cilën është shkruar shumë.»
[Shekulli]

Përgatiti: E.R.