Kështu i harron Kosova heronjtë e vet në Gjermani

20 vjet pas luftës kujtimet e kosovarëve janë provincializuar siç është provincializuar edhe politika. Andaj opinionit shqiptar të Kosovës dhe më gjerë nuk i thonë gjë emrat si Hans Christoph Buch, Matthias Rüb, Wolfgang Eilmes. E Joschka Fischer?

Pranverë 1998: në fshatin Hereq afër kufirit me Shqipërinë banorët shqiptarë bartin kufomat e të vrarëve nga forcat serbe. Foto: Wolfgang Eilmes (Frankfurter Allgemeine Zeitung).



Për të parë e kuptuar se sa është provincializuar Kosova mjafton të shohësh se te ne ngjarje është kur kryeministri merr vizë për të shkuar në Amerikë dhe atje takon disa bashkatdhetarë gjithsesi të respektuar dhe me merita, por s’arrin të takojë asnjë zyrtar amerikan. Ndërkohë në mediat e Kosovës lajm është kur kryetari i vendit shkon në ndonjë odë për t’u takuar me «shokët e luftës». Me provincializimin e politikës është provincializuar edhe kujtesa. Më 1999 Kosova ishte ngjarje globale, 20 vjet më vonë Kosova nuk ka as qeveri, as ministri të Jashtme, as institucione të tjera që janë të afta të organizojnë një solemnitet me rrezatim ndërkombëtar në kujtim të 24 marsit 1999, ditës (më saktë: natës) kur nisi çlirimi i Kosovës dhe kulmoi me dëbimin e Serbisë. Kujtojmë të vetmuar, të izoluar (edhe me fajin tonë), të dëshpëruar me gjendjen e vështirë ekonomike, të pasigurt mbi të ardhmen tonë dhe duke thurur plane për të emigruar.

Këto ditë po e kujtojmë (secili në mënyrën e vet) 20 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s. Këto ditë në mediat gjermane u vlerësuan dhe kujtuan shumë personalitete për meritat e tyre në jetën letrare apo politike të Gjermanisë. Për lexuesin shqiptar këta emra kanë edhe një histori tjetër. Një histori që i lidhë me shqiptarët. Këtu po veçojmë katër personalitete.

Të enjten (13 prill 2019) festoi 75-vjetorin e lindjes Hans Christoph Buch, shkrimtar dhe eseist gjerman, njëri prej mbështetësve të mëdhenj publicistikë të Kosovës në kohërat e vështira. Ishte ndër të paktët që në vitet e luftës dhe pasluftës shkroi ese të paharrueshme nga Krusha e Madhe, nga Gjakova, nga Kukësi e Tirana. (Hans Christoph Buch u lind më 13 prill 1944 Wetzlar të Gjermanisë).

Më 1 korrik 1999 Hans Christoph Buch i shkroi një letër të hapur shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili sot e asaj dite mbetet një adhurues i egër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe militant i nacionalizimit serb. Buch i drejtohej Handkes me këto fjalë: «E di se Ju nuk i dëgjoni me qejf fjalët viktimë dhe vrasës, por ky dallim për mua ende ka kuptim, sepse unë refuzoj ta barazojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me bandat vrastare serbe».

Buch shkruante po ashtu: «Shqipëria nuk merret fare parasysh nga kombet e mëdha të Europës së Mesme dhe Perëndimore. Kështu ka qenë më 1878, kur Lidhja e Prizrenit i bëri apel Kongresit të Berlinit – i cili në drejtimin e Bismarckut vendosi rend të ri në Ballkan – që shqiptarëve t’u jepet një autonomi e kufizuar nën kulmin e Perandorisë Osmane. Diplomatët nuk e refuzuan memorandumin (e Lidhjes së Prizrenit); ata as që e morën parasysh. Edhe në Rambouillet kërkesat e Kosovës për mëvetësi u hodhën poshtë, dhe e drejta e vetëvendosjes, e cila për popujt e tjerë të Europës është gjëja më e vetëkuptueshme në botë, ende u refuzohet shqiptarëve të Kosovës me argumentin se ata nuk qenkan komb, por fise, bajraqe apo klane të mafies. Për racizmin që e përmbajnë këto fjalë me gjasë nuk janë të vetëdijshëm propagandistët e këtyre klisheve, të cilëve u takoni edhe ju, zoti Handke. Sidomos dikush që proteston kundër mallkimit të serbëve, nuk do të duhej të merrte pjesë në demonizimin e shqiptarëve, sepse si të gjithë popujt e Ballkanit ata kanë të drejtë të gëzojnë respekt ndaj kulturës së tyre që buron nga historia e tyre plot vuajtje». (Letra e Hans Christoph Buch është botuar nga gazeta DIE ZEIT).

Një ditë më herët, më 12 prill, ishte ditëlindja e Joschka Fischerit, i cili para 20 vitesh ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe ndër mbështetësit kryesorë të çlirimit të Kosovës. Fischer u kritikua ashpër nga një fraksion i partisë së tij të Gjelbër për përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s. Luftënxitës dhe tradhtar kanë qenë epitetet me të cilat është ofenduar. Por Fischer qëndroi stoik. Kulmi i betejës së tij u shënuar  më 13 maj 1999, kur në Kongresin e Partisë së Gjelbër ë Bielefeld mbajti një fjalim historik për domosdoshmërinë e vazhdimit të sulmeve të NATO-s, me ç’rast nga disa militantë të partisë u qëllua me një konservë me ngjyrë.

Në atë fjalim Fischer, mes tjerash, tha: «Kam qenë të dielën e kaluar në një kamp refugjatësh në Maqedoni. Shkoni edhe ju atje në këtë funksion që keni dhe bisedoni me njerëzit. Të shohim se çka do t’ju thonë. Janë njerëz të prekur direkt nga lufta. Janë të përndjekurit… Ta shndërrosh një popull të tërë në cak të luftës, ta dëbosh me terror, me shtypje, me përdhunime, me vrasje dhe njëkohësisht t’i destabilizosh shtetet fqinje – këtë unë e quaj politikë kriminale… (…) Konsideroj se ndërprerja – e pakufizuar – e sulmeve me bomba në momentin e tanishëm është sinjali më i gabuar i mundshëm. Millosheviqi kështu do të forcohej dhe nuk do të dobësohej. Unë këtë nuk do ta zbatoj, nëse ju vendosni (për ndërprerjen e bombardimeve), këtë po ua them që ta keni të qartë».

Këtë javë gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» solli një album me fotografi nga lufta e Kosovës. Fotografitë ishin të autorit Wolfgang Eilmes, eseja përcjellëse nga Matthias Rüb. Para 20 vitesh Eilmes dokumentoi luftën në Kosovë dhe mjerimin e refugjatëve. Shpesh këtë punë të rëndësishme ai e bëri bashkë me korrespondentin e atëhershëm Matthias Rüb, i cili me raportet, reportazhet dhe komentet e angazhuara për lirinë e Kosovës mbetet njëri prej figurave më markante të gazetarisë gjermane dhe europiane. Pas luftës së Kosovës Rüb raportoi nga Washingtoni për zhvillimet në Amerikë, pastaj informoi lexuesin gjerman nga Brazili dhe tani kujdeset nga Roma për Italinë, Vatikanin, Maltën dhe Shqipërinë.

Në esenë e tij Rüb lavdëron punën e kujdesshme të fotografit Wolfgang Eilmes, i cili edhe pa e njohur gjuhën shqipe arrinte të krijonte një afërsi me viktimat, por kjo afërsi mbetej në distancën e duhur për të treguar edhe respekt ndaj të fotografuarve. Albumi me fotografi të Wolfgang Eilmes është një dëshmi për luftën e Kosovës. Këtë dëshmi e risolli në kujtesën tonë një gazetë gjermane. Në viset shqiptare nuk i ra ndërmend askujt të organizojë një ekspozitë apo sall një prezantim modest të këtyre fotografive. Amnezia kolektive e tillë është. Por medalje e dekorata në nivel lokal janë ndarë mjaft. S’mbeti kush në Kosovë pa një teneqe. Buste e përmendore, shtatore e rrugë me emra kushërinjsh pa fund.