Këshilltarët e munguar të Thaçit dhe këshilltarët e vërtetë të Vuçiqit

Para së të bëhej president, Hashim Thaçi përmes mediave të Prishtinës shpërndau llafin se në ekipin e tij do të ketë këshilltarë ndërkombëtarë. Deri më sot ata s’po shihen askund. Ndërkohë kryeministri dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka arritur të krijojë një ekip me personalitete me ndikim në politikën ndërkombëtare, të cilat e këshillojnë apo e kanë këshilluar. Mes tyre më i rëndësishmi është ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder.

Aleksandar Vuçiq dhe Gerhard Schröder gjatë një takimi.



Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës më 26 shkurt 2016 në një atmosferë të tensionuar politike. Më shumë se një vit nga zgjedhja e tij ish-kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri shumëvjeçar i Kosovës nuk ka arritur të bëhet i pranueshëm për opinionin e gjerë si president që përfaqëson unitetin e popullit. Ai vazhdon të mbetet një figurë polarizuese. Herë pas here përpiqet të lansojë nisma të ndryshme si «pajtimi mes popujve në Kosovë» apo «themelimi i Ushtrisë së Kosovës». Këto iniciativa të tij ose nuk merren seriozisht nga publiku, ose refuzohen nga shtetet perëndimore, të cilat kanë ende ndikim të madh në bërjen e politikës në Kosovë.

Dy ditë para se të zgjidhej president, Thaçi dhe pëshpëritësit e tij përhapën në mediat e Prishtinës lajmin se, përveç këshilltarëve vendorë, Thaçi do të ketë edhe shumë këshilltarë ndërkombëtarë. Përmendeshin këta emra: Wolfgang Ischinger, diplomat gjerman, ish-ambasador në SHBA dhe Britani të Madhe, aktualisht shef i Konferencës së Sigurisë në München, pastaj Kai Eide, diplomat norvegjez, Wolfgang Petritsch, diplomat austriak, ndërmjetësues në bisedimet për Kosovën në Rambouillet, Erhard Busek, ish-vicekancelar i Austrisë. Thuhej se këta burra do ta përkrahnin, këshillonin e udhëzonin presidentin e ri për çështje ndërkombëtare dhe reforma të vendit në procesin e integrimeve. Paralajmërohej se pjesë e kabinetit të Thaçit do të ishin edhe «figura të tjera politike ndërkombëtare».

Më shumë se një vit pas zgjedhjes njoftimi për këshilltarët ndërkombëtarë të Thaçit tingëllon si përrallë e 1 prillit. Me sa duket presidenti ka vështirësi jo vetëm të gjejë këshilltarë të hairit ndërkombëtarë, por edhe të përfaqësojë Kosovën në vende të rëndësishme. Prej se ka hyrë në zyrën e kryetarit ai s’ka arritur të realizojë asnjë vizitë zyrtare në qendrat vendimmarrëse si Berlini, Londra, Parisi, mos të flasim për ndonjë vizitë në vende si Polonia, Portugalia, Italia.

Ndërsa Thaçi vazhdon të jetë president i paralajmërimeve, kryeministri dhe presidenti i zgjedhur serb Aleksandar Vuçiq përkundër biografisë së tij politike ultranacionaliste ka arritur të krijojë një ekip këshilltarësh të përbërë nga personalitete me ndikim në politikën ndërkombëtare, të cilat e këshillojnë apo e kanë këshilluar. Mes tyre më i rëndësishmi është ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder. Vuçiq ia doli që më 24 mars, në 18 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s, ta sjell në Beograd Schröderin si pjesëmarrës të një tubimi parazgjedhor. Më 24 mars 1999 Schröder ka qenë kancelar i Gjermanisë dhe, siç shkruan gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ), i pari kryeministër i Berlinit që nga Hitleri, i cili e mbuloi Beogradin me bomba.

Mes Vuçiqit dhe Schröderit ndërkohë është krijuar një miqësi e ngushtë, e cila po «forcohet me verë të kuqe», shkruan FAZ. Si kancelar Schröder ka reformuar tregun e punës në Gjermani dhe frytet e reformave të tij edhe sot i korr Angela Merkel. Më 24 mars 1999 Vuçiqi ka qenë ministër i propagandës i Serbisë dhe shërbëtor i diktatorit Sllobodan Millosheviq. 18 vjet më vonë Vuçiq arrin ta angazhojë Schröderin si këshilltar. Dhe jo vetëm atë, siç nënvizon gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung»: «Shumë politikanë serbë besojnë se i dinë të gjitha dhe i durojnë këshilltarët vetëm si statistë. Vuçiqi ndërkaq përherë sistematikisht ka kërkuar këshilltarët më të mirë, të cilët mund t’i kishte. Qysh si zëvendëskryeministër ai e angazhoi ish-shefin e Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominique Strauss-Kahn si këshilltar për sanimin e ndërmarrjeve shtetërore deficitare. <Nuk na vjen turp të themi se ai di shumë më tepër se ne>, me këto fjalë e arsyetonte Vuçiq përzgjedhjen e tij. Pasoi mandej një valë këshilltarësh: ish-kryeministri britanik Tony Blair për çështje mediale, ish-ministri i Jashtëm italian dhe komisioneri i BE-së Franco Frattini si dhe ish-kancelari austriak Alfred Gusenbauer për procesin e anëtarësimit në BE – këta janë emrat më të njohur. Edhe një ish-ambasador gjerman në Beograd e këshillon Vuçiqin». Gazeta supozon se Vuçiq edhe në të ardhmen si president do të këtë këshilltarë të rëndësishëm, sepse, siç ka thënë, qëllimi i tij është të mësojë. Një ndër sukseset më të mëdha të Vuçiqit gjatë fushatës elektorale ishte edhe takimi me kancelaren Angela Merkel. Numri i madh i këshilltarëve gjermanë për Vuçiqin, por edhe për Serbinë po shpaguhet shumëfishtë.