Këshilltar për kaos

John Bolton do të jetë këshilltar për siguri nacionale i Donald Trumpit. Bolton është shquar si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe ithtar i ndarjes së saj. Ai do të sulmonte Korenë e Veriut, do të hiqte dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin - dhe për Bashkimin Europian ka një mendim të drejtpërdrejtë: «Një burokraci e plogët».

John Bolton.



Pas fitores në zgjedhjet presidenciale amerikane Donald Trump planifikonte ta emëronte John Boltonin ministër të Jashtëm. Një ndër arsyet se përse nuk e bëri këtë ishte kjo: Trumpit nuk i pëlqenin mustaqet e dendura të Boltonit. Tani Bolton bashkë me mustaqet e tij do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Trump e ka emëruar Boltonin këshilltar për siguri nacionale – një ndër postet më të rëndësishme të administratës.

Emërimi i tij erdhi pas një dite tipike të Trumpit: të enjten ai vendosi ta ndëshkojë Kinën me taksa doganore, shkëputi kontratën me avokatin e tij edhe e quajti ish-nënpresidentin Joe Biden «të çmendur» dhe «të dobët», pastaj Trump e kurorëzoi ditën me emërimin e John Boltonit, i cili më 9 prill do të zë vendin e Herbert Raymond McMaster. Gjenerali McMaster ishte këshilltari i dytë për siguri nacionale i Trumpit. Këshilltarin e parë Michael Flynn presidenti Trump e largoi pasi kishte gënjyer mbi përmasat e vërteta të kontakteve të tij me qeveritarët rusë.

Të thuhet se Bolton është personalitet destruktiv është pak. Bolton njihet për qëndrimet e tij kundër pavarësisë së Kosovës. Në një editorial të botuar në fund të janarit 2008, dy javë para se Kosova të shpallte pavarësinë, Bolton, bashkë me ish-ministrin e Jashtëm, Lawrence Eagleburger, dhe ish-ndihmëssekretarin e Mbrojtjes, Peter Rodman, kërkoi që administrata e presidentit George W. Bush të pengojë pavarësinë e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, sipas Boltonit, do të destabilizojë rajonin. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë e vërteta është se Kosova si shtet ka ndikuar në stabilizimin e rajonit.

Në vitin 2008 Bolton dhe Eagleburger konsideroheshin si pjesëtarë të fraksionit të vogël proserb në establishmentin politik të Washingtonit. Eagleburger ka punuar si diplomat në ambasadën e SHBA-ve në Beograd mes viteve 1961 dhe 1965. Pas tërmetit në Shkup më 1963 ai u angazhua në dërgimin e ndihmave dhe nga mediat u quajt «Lawrence of Macedonia» – një aludim në filmin e famshëm «Lawrence of Arabia». Mes viteve 1977 dhe 1980 Eagleburger mbajti postin e ambasadorit të SHBA-ve në Beograd.

Bolton, mysafir i shpeshtë i televizionit propagandistik të Kremlinit Russia Today (tani «rt»), ka deklaruar se qëndrimi i amerikanëve dhe BE-së ndaj Kosovës ka komprometuar negociatat dhe se Rusia do të mund të ishte më e përfshirë në procesin e gjetjes së zgjidhjes për Kosovën. Në të vërtetë Moska ka qenë e përfshirë në tërë procesin e gjetjes së zgjidhjes për çështjen e Kosovës. Në fund, kur Martti Ahtisaari propozoi pavarësi për Kosovën, gjë që e prisnin edhe vetë rusët, Moska dhe Beogradi u tërhoqën nga procesi. Pasoi edhe një përpjekje për ndërmjetësim që u drejtua nga Wolfgang Ischinger (BE), Aleksander Bocan-Karçenko (Rusi) dhe Frank Wisner (SHBA). Në një intervistë me Russia Today Bolton ka deklaruar se Kosova mund të ngjallë ekstremizmin islamik në Europë.

Përpjekja e Boltonit dhe mbështetësve të tij për të bindur administratën e presidentit George W. Bush të mbajë qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës qe e pasuksesshme. Pas emërimit të Boltonit në postin e këshilltarit për siguri nacionale ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se mbetet të shihet nëse diplomati amerikan ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj çështjes së Kosovës.

Herbert Raymond McMaster është zyrtari i gjashtë i lartë që largohet nga administrata e Trumpit në gjashtë javët e fundit. McMaster dhe ekipi i tij thuhet se e kishin këshilluar Trumpin të mos e urojë Vladimir Putinin pas fitores në të ashtuquajturat zgjedhje presidenciale të dielën e kaluar. Trump injoroi këtë këshillë dhe pasi e uroi Putinin e njoftoi për këtë mbarë botën në Twitter. Lidhur me mënyrën si funksionin Trump, gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» shkroi: «Në Washington ekziston një teori interesante mbi presidentin. Ajo duket kështu: metoda më e thjeshtë për ta shtyrë Donald Trumpin të bëjë diçka është t’i thuash të mos e bëjë».

Dallimet mes McMaster dhe Trumpit u shfaqën edhe gjatë Konferencës së Sigurisë në München në shkurt, kur këshilltari për siguri nacionale tha se «tani është e pamohueshme» se Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016. Kjo nuk i pëlqeu Trumpit. Pas përzënies nga posti të këshilltarit për ekonomi Gary Cohn, të ministrit të Jashtëm, Rex Tillerson, dhe tani të këshilltarit H.R. McMaster, në kabinetin e Trumpit ka mbetur vetëm edhe ministri i Mbrojtjes James Mattis, i cili ka autoritetin për të kundërshtuar apo korrigjuar presidentin. Me ndryshimet e fundit në kabinet, Trump, sipas «Süddeutsche Zeitung», po përpiqet të tregojë se tashmë e ka marrë zanatin dhe mund të sundojë vetë dhe me njerëzit që «nuk ia prishin».

John Bolton konsiderohet si «hardliner», si përfaqësues i vijës së ashpër në politikën amerikane. Ai kërkon një qasje më agresive ndaj Kinës dhe kundërshton marrëveshjen me Iranin për programin bërthamor. Madje Bolton e ka quajtur këtë marrëveshje të arritur nga administrata e Barack Obamës, shtetet kryesore të Europës perëndimore, Rusia dhe Kina një «Waterloo diplomatike». Bolton po ashtu angazhohet për heqjen e regjimit koreanoverior përmes sulmeve nga ana e SHBA-ve. Këshilltari i ri për siguri nacionale mbetet përkrahës i flakë i ndërhyrjes në Irak më 2003, ndonëse edhe vetë presidenti George W. Bush ndërkohë ka shprehur keqardhje për informatat e rrejshme mbi bazën e të cilave u sulmua Iraku.

Bolton ka qenë ambasador i Washingtonit në selinë e OKB-së në New York, ku me një rast ka thënë se në Këshillin e Sigurimit në të vërtetë do të duhej të flisnin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe askush tjetër. Mbi 100 diplomatë amerikanë kanë protestuar kundër qëndrimeve të Boltonit sa i përket politikës ndërkombëtare. Bolton thotë se i njeh të gjitha korridoret në Washington. Vëzhgues të politikës në SHBA vlerësojnë se emërimi i tij është ftesë për luftë. Për dallim nga Bolton presidenti Trump disa herë e ka kritikuar luftën kundër Irakut. Bolton ka një mendim të drejtpërdrejtë për Bashkimin Europian: «Një burokraci e plogët».