Këshilli jofunksional i Trashëgimisë shpenzoi 16 mijë euro për punë jashtë orarit

Përveç pagës mujore, punonjësit e stafit ekzekutiv të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore janë paguar edhe për atë që e kanë cilësuar «punë jashtë orarit».




Fiks 16 mijë e 803 euro janë shpenzimet për pagesa shtesë për shtatë punonjës gjatë vitit 2014, në kohën kur ky organ ka qenë jofunksional. Këshilli është funksionalizuar tek në korrik të këtij viti kur janë emëruar shtatë anëtarët, shkruan sot «Koha Ditore». E krejt kjo pagesë është bërë jashtëligjshëm.

Ky ka qenë vetëm njëri nga rastet, për të cilin të martën KKTK-ja është kritikuar nga Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike i Kuvendit të Kosovës, i cili është themelues i Këshillit. Kritikat janë bazuar në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas këtij raporti, në total për paga dhe mëditje për shtatë pjesëtarët e stafit ekzekutiv, brenda vitit të kaluar del të jenë shpenzuar 66 mijë e 605 euro. Në bazë të shifrave i bie që gati 50 për qind e buxhetit prej 135 mijë eurosh të ketë shkuar për paga dhe mëditje.

Në përllogaritje mujore i bie secili punonjës ka marrë 200 euro shtesë, pos pagës, në emër të «punës jashtë orarit».