Këshilli i Europës: Viktimave të luftës në Kosovë «po u mohohet drejtësia»

Komisioneri i të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Europës paralajmëroi se dobësia e sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë do të thotë se disa autorë krimesh lufte nuk po sanksionohen dhe se viktimave po u mohohet drejtësia.

Nils Muiznieks takon shqiptarë etnikë të zhvendosur në shkurt. Foto: Këshilli i Europës.



Nils Muiznieks, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, tha të hënën se 18 vjet pas luftës, Kosova duhet t’i japë fund mosndëshkimit për krimet e kryera gjatë konfliktit duke u siguruar që autorët e krimit të nxirren para drejtësisë.

Muiznieks, i cili i bëri komentet e tij në një memorandum të bazuar në vizitën e tij në Kosovë në shkurt, tha se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sistemit «shumë të dobët» të mbrojtjes së dëshmitarëve në vend.

«Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për të siguruar mbrojtje efikase dhe mbështetje për dëshmitarët për sa i takon ndjekjeve penale të krimeve të luftës. Çdo kërcënim apo kanosje dëshmitarësh duhet të hetohet dhe autorët e krimeve të tilla duhet të nxirren para drejtësisë», tha ai.

Për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe për të mundësuar pajtimin, Kosova duhet gjithashtu «të sqarojë fatin e të gjithë personave të zhdukur, t’u sigurojë viktimave të luftës shpërblime të përshtatshme dhe të lehtësojë rikthimin me dëshirë të personave të zhvendosur», shtoi ai.

Një total prej 1,600 personash mbeten ende të humbur për shkak të konfliktit të Kosovës dhe Muiznieks i kërkoi Prishtinës dhe Beogradit të tregojnë më shumë  angazhim politik në gjetjen e tyre.

Ai bëri thirrje që arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe të hapen, në mënyrë që çdo informacione në lidhje me fatin e të zhdukurve të mund të shfrytëzohet për të gjetur varret e tyre.

Muiznieks tha se legjislacioni i Kosovës që rregullon shpërblimet për viktimat e luftës duhet të zgjerohet për t’i dhënë civilëve dëmshpërblimet e duhura, ndërsa sistemi arsimor duhet të bëjë përpjekje për të nxitur pajtimin dhe tolerancën ndëretnike.

«Të gjitha tekstet shkollore dhe materialet mësimore që përmbajnë elemente nacionalizmi dhe paragjykimi duhet të rishikohen. Përpjekjet e fuqishme janë të nevojshme për futjen e metodave të reja të mësimdhënies që promovojnë mirëkuptim ndërkulturor, përfshirë historinë», bëri thirrje ai.

Deklarata e tij ngriti gjithashtu shqetësime për 13 raste vrasjesh dhe zhdukjesh gazetarësh shqiptarë të Kosovës dhe gazetarësh serbë midis viteve 1998 dhe 2005 dhe bëri thirrje që vrasësit të nxirren para drejtësisë.

«Duhet të krijohet një ambient më i sigurt për gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medies, sidomos duke rritur mundësinë e autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe atyre gjyqësore për të hetuar dhe sanksionuar në mënyrë efikase aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj tyre», tha Muiznieks.

(https://www.reporter.al/keshilli-i-europes-viktimave-te-luftes-ne-kosove-po-u-mohohet-drejtesia/)