Këshilli i Europës thotë se viktimat e luftës në Kosovë po shpërfillen

Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznieks, tha se gjendja e viktimave të luftës së Kosovës po lihet jashtë vëmendjes së diskutimeve të vazhdueshme politike për të ardhmen e vendit.

Nils Muiznieks.



Nils Muiznieks tha të enjten pas një vizite katër ditore në Kosovë se viktimat e luftës dhe të drejtat e tyre të njeriut duhet të vendosen «në qendër të dialogut politik». «Shumë viktima të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, sidomos personat e zhvendosur, familjet e personave të zhdukur dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, po përpiqen ende të rindërtojnë jetët e tyre, të mësojnë të vërtetën për njerëzit e tyre të dashur dhe të kenë drejtësi», tha në një deklaratë Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut. «Diskutimet e vazhdueshme politike nuk janë përqendruar sa duhet në nevojat e viktimave, duke i lënë ata me ndjenjën e braktisjes dhe pa shpresë», shtoi ai.

Muiznieks shprehu shqetësim të veçantë në lidhje me një qendër të shkatërruar ku janë akomoduar personat e zhvendosur nga lufta të cilën ai e vizitoi, Samacki Dom në veri të Mitrovicës, ku 50 persona, përfshirë fëmijë, kanë jetuar për vite me radhë. «Askush nuk duhet të jetojë në kushte të tilla në Europë sot. Kjo dhe qendra të tjera kolektive duhet të mbyllen urgjentisht dhe duhet të gjenden zgjidhje të qëndrueshme», tha ai. Ka një total prej 29 të ashtuquajtura «qendra kolektive» në Kosovë, ku ende janë të strehuar rreth 470 persona të zhvendosur nga lufta e fundit të viteve 1990. Deklarata Muiznieks tha se rreth 16’500 persona nga të gjitha grupet etnike mbeten të zhvendosur brenda Kosovës, ndërsa rreth 20’000 persona të zhvendosur që u larguan nga Kosova drejt Serbisë nuk kanë arritur ende të rikthehen në shtëpi. Ai theksoi gjithashtu se 1660 persona të tjerë mbeten të zhdukur nga konflikti në Kosovë.

«Procesi i përcaktimit të të vërtetës është ngadalësuar gjithashtu ndërsa është e nevojshme rritja e ekspertizës mjeko-ligjore në vend, rritja e bashkëpunimit rajonal si edhe sigurimi i qasjes në arkivat që mund të kenë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e eshtrave të personave të zhdukur», tha ai. «Mungesa e ndjekjes efikase penale të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera gjatë luftës ka përkeqësuar vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre dhe ndjenjën e padrejtësisë e cila pengon seriozisht përpjekjet për pajtim dhe rikthimin e personave të zhvendosur», shtoi ai.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/keshilli-i-europes-thote-se-viktimat-e-luftes-ne-kosove-po-shperfillen/)