Këshilli Drejtues kërkon argumente të forta për shkarkimin e rektorit Zejnullahu

Senatorët e Universitetit të Prishtinës, nënshkrues të peticionit për shkarkimin e rektorit, Ramadan Zejnullahu, duhet të japin argumente të forta në secilën nga 12 pikat e shkresës drejtuar Këshillit Drejtues.




Në të kundërtën, kërkesa e tyre për shkarkimin e Zejnullahut nuk do të kalojë, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu është vendosur në mbledhjen e Këshillit Drejtues të UP-së, e cila është mbajtur të mërkurën. Mbledhja ka zgjatur disa orë, ndërsa gjatë tërë kohës është diskutuar rreth kësaj çështjeje, ndonëse nuk ka qenë në rend të ditës. Në rend dite kanë qenë nëntë pika të tjera.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se mbledhja ka kaluar me tensione të mëdha, pasi që anëtarët e Këshillit Drejtues të zgjedhur nga Senati kanë insistuar në shkarkimin e rektorit Zejnullahu, kurse katër anëtarët e tjerë të Këshillit, të emëruar nga Ministria e Arsimit, nuk kanë pranuar që ky propozim të hidhet në votim. Këta të fundit kanë kërkuar që së pari të zhvillohet një takim i përbashkët midis Këshillit Drejtues dhe senatorëve nënshkrues të peticionit.