Kërkohet shkollim i të rinjve për profesionet për të cilat tregu i punës ka mungesë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në hapjen e Panairit të Punës, ku theksoi se kjo ngjarje e rëndësishme, e cila tregon mundësinë e rritjes së punësimit, ka bërë që të zgjojë interesim të madh për të gjithë të rinjtë që kanë ardhur për t’i parë mundësitë e punësimit në kompani të ndryshme.




Bajrami, po ashtu i përgëzoi të gjithë që sot me të vërtetë kemi një vazhdim të ofertës dhe kërkesë në tregun e punës.

«I inkurajoj të gjithë të rinjtë që të shkollohen dhe të profilizohen në profesione që sot kompanitë i kërkojnë për të cilat ka mungesë tregu i punës», përfundoi fjalimin ministrja Bajrami, duke dhënë edhe mesazhin e saj inkurajues për punësime të reja.

Në këtë panair po marrin pjesë kompani të ndryshme gjermano-kosovare dhe kompani të ndryshme të Kosovës.

Ky Panair është organizuar nga Oda Ekonomike e Gjermano-Kosovare e mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK), si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Diasporës, Programin Global për Migrim dhe Zhvillim (PME) dhe Qendrën për Migrim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (CIM).