Kërkohet ligj për njohje të stazhit të punës për punëtorët e larguar nga puna gjatë viteve ‘90

Kabineti i kryeministrit Isa Mustafa për dy ditë nuk ka qenë në gjendje që të tregojë nëse e kanë pranuar ose jo një kërkesë të Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike të Kosovës, që është dorëzuar më 23 shtator në zyrë të Kryeministrit, shkruan sot Koha Ditore.




Me anë të kësaj letre ata kanë kërkuar hartimin e një akti ligjor për përcaktimin e kritereve dhe procedurës për njohje të stazhit të punës të zyrtarëve të organeve shtetërore të Kosovës të cilëve në periudhën 1990-1999, siç thuhet në kërkesë “iu mor me dhunë dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të punës e drejta elementare e punës”.

Zyra për medie e Kryeministrisë, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, e as shefi i kabinetit të Mustafës, Sokol Havolli, nuk kanë qenë në gjendje që të japin një përgjigje lidhur me atë nëse e kanë pranuar kërkesën dhe a do të hartojnë një Akt ligjor siç është kërkuar.

Në zyrën për medie kanë thënë se i kanë përcjellë pyetjet tek personat kompetentë dhe se posa t’i kenë përgjigjet do t’i përcjellin ato te gazeta.

Në letrën që i është dorëzuar Zyrës së Kryeministrit thuhet se kanë qenë rreth 8 mijë punëtorë që në vitin 1990 me dhunë janë larguar nga puna. Kryetari i Sindikatës, Ndue Kalaja, ka thënë se tani për tani nuk kanë shifra se sa prej tyre janë gjallë dhe sa prej tyre jetojnë ende në Kosovë. Ai ka njoftuar se janë në proces të mbledhjes së numrit të tyre, nëpërmes disa formularëve që i kanë shpërndarë nëpër komuna dhe institucione të tjera. «Deri më tani kemi 298 formularë që janë plotësuar», ka thënë Kalaj.