Kërkohen zgjidhje për destinimin e dy pronave komunale në Prizren

Qeveria lokale e Prizrenit ka angazhuar një kompani konsulente që të hartojë studimin e fizibilitetit për destinimin e lokacioneve në pronësi të Komunës në lagjen «Bazhdarhane» dhe te ish-«Ben-afi», në të cilat hapësira shoqëria civile ka propozuar ndërtimin e parqeve dhe hapësirave rekreative për qytetarët.




Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit në saje të këtij studimi, profesionistët do të ofrojnë një pasqyrë se cilat janë zgjidhjet më të favorshme për qytetarët dhe për administratën komunale, shkruan sot «Koha Ditore».

Aktivistë të shoqërisë civile, por edhe anëtarë të Kuvendit Komunal në Prizren, patën dalë me propozimin që prona komunale që ka qenë në shfrytëzim të operatorit ekonomik „Ben-af“ të shndërrohet në hapësirë të gjelbër, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet mundësia për rekreacion. Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) u kanë bërë thirrje autoriteteve komunale që të ndërmarrin veprime në këtë drejtim, madje nëse është nevoja edhe të ndryshohen planet përkatëse urbanistike.

Situatë e ngjashme është edhe në hapësirën e zbrazët përballë Qendrës sportive në lagjen «Bazhdarhane». Sipas Hajrulla Çekut, nga OJQ «EC Ma Ndryshe», banorët e kësaj lagjeje këtë hapësirë e kanë vizionuar si park dhe pikë rekreative, pa objekte ndërtimi. Ai ka sqaruar se bashkë me banorët është iniciuar peticioni, me anë të të cilit do të kërkohet nga autoritetet komunale që të shqyrtojnë ndryshimin e planit urbanistik për këtë zonë.